Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dardanët e fuqishëm – nga Marin Mema

December 17
19:27 2018

Pak ditë më parë në Prishtinë u zyrtarizua themelimi i ushtrisë së Kosovës. Sipas burimeve pranë Presidentit Hashim Thaçi mendohet se ajo do të ketë rreth 5000 trupa aktive dhe 2500 rezervistë.

Ky është një hap thelbësor në historinë e Kosovës që i ka rrënjët që atëherë kur dardanët zotëronin një nga ushtritë më të forta mes fiseve ilire të cilave i përkisnin.

Ndër faktet e njohura që shënjojnë ekzistencën e shtetit dardan padyshim është edhe forca e madhe ushtarake. Arkeologia dhe historiania e njohur Edi Shukriu në një prezantim të plotë dhe gjithëpërfshirës mbi mbretërinë dardane, sjell detaje interesante mbi sistemin ushtarak të shtetit dardan në krye të të cilit gjendej mbreti.

Ndonëse të organizuar në njësi, të njohura ndryshe si fallanga, secila me një numër prej 8 mijë ushtarësh të kalorësisë dhe këmbësorisë, gjithësesi ushtria dardane vepronte si një tërësi. Çdo ushtar mbante pozicionin e tij në fallangë dhe në luftë shkohej me flamuj.

Uniteti i kësaj ushtrie është dëshmuar edhe nga autori antik Livi, i cili në referim të njërës prej betejave të saj shprehet se ushtarët vetëm në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe ashtu të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen. Pra, çdo veprim merrej në mënyrë të disiplinuar dhe ajo çfarë e lartëson më shumë ushtinë dardane është fakti se të vdekurit dhe të plagosurit nuk braktiseshin në fushëbetejë.

Shteti dardan pati rol thelbësor në botën e lashtë dhe figurat e dala prej tij i gjejmë jo vetëm në krye të perandorive të tjera, por edhe si themelues të qytetërimeve të jashtëzakonshme.

Sot Kosova ka ushtrinë e saj e cila padyshim do të ruajë këto rrënjë të skalitura prej shekujve./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje