Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Cirku i klounëve

Cirku i klounëve
July 15
19:07 2016

Zgjohem nga gjumi tërë ankth, i kapluar nga makthe të papara, ndonjëherë edhe i mbytur në djersë, saqë dukej se kisha fjetur në një vaskë të mbushur me 3-4 gishta ujë. Mbi krye, si gjithnjë, në të mirë e në të keq, si engjëll mbrojtës i ditës së fundit, ime shoqe.

– O Zot! – tha, – mirë që hape sytë! Po përse qesh se nuk e marr vesh? – e me një pecetë thithte djersën, natyrisht jo timen, por atë në dyshek se kishte frikë mos i kalbej e na duhej të blinim një  tjetër. Ehhh… kohë të vështira!
-Ah, moj grua! – i thashë. – Një shprehje thotë: “T’ia tregoj natës së varrit”! Unë natën e varrit pashë e atë që ndjeva ty do të ta tregoj të parës, ç’të bëj!
-Mor po lëre natën e varrit, po më thuaj shpejt ç’t’u faneps!
-Po të kisha pirë një kafe më parë, të mblidhja veten, pastaj…
-Fol, foooooooool! – tha ajo ëmbël, – e kam pirë unë për ty!

-Epo mirë, – i thashë, – po flas.

-Grua, mblidh veten i thashë se nuk ka të bëjë me shtëpinë tonë. Është më keq akoma, ka të bëjë me vendin tonë!

Dola jashtë si përherë, për të shkuar në punë dhe vura re një turmë të madhe njerëzish që shkonin si të harbuar pas disa makinave, duke bërtitur: “Cirku! Cirku!”
Papritur e pashë veten duke shkuar edhe unë pas tyre, edhe pse e shihja mirë që makinat që  prinin ishin luksoze, të markave të fundit dhe furgonë e karvanë që mbanin zakonisht pajisjet dhe kafshët e cirkut. Pas një copë rruge, që të them të drejtën nuk zgjati shumë, ja, gati sa një sekondë dritë ëndërr, mbërritëm në një stadium të shkatërruar, sa të vinte keq ta shihje.

Ndërkohë që ne spektatorët u ulëm disi çuditshëm, si “për hava” si i thonë tironsat, në pritje të shfaqjes, makinat që ndoqëm deri aty u ndalën në formë rrethi në mes të sheshit, aty ku më parë ishte fusha dhe nisën të nxirrnin në fillim reklamat, të cilat i vendosën po “për hava”, ku shkruhej: “Reforma në zhdrejtësi”.

E sheh, grua, sa ëndërr të tmerrshme kam parë?

-Ëhë… – ia bëri ajo. Vihej re qartë se nuk po kuptonte gjë fare deri këtu. Jo vetëm kaq, por nuk i interesonte fare.

-More fol, çfarë pe tamam? Se mos i ndodh ndonjë gjë shtëpisë sonë!

-Ne nuk kemi dalë ndonjëherë në fushë të barit të stadiumit që të ketë lidhje me ne kjo ëndërr moj grua, po vëri veshin dhe dëgjo!

Natyrisht, në tërë këto vite jetë kemi parë shfaqje cirku ku ka të paktën 2-3 klounë, të cilët na bëjnë për të qeshur… dhe aq! Në cirkun e ëndrrës sime dilnin nga makinat luksoze veç klounë. Asnjë akrobat, asnjë ekuilibrist, asnjë ekzibicionist, asnjë tigër, luan, qen, kalë, majmun. Jo, jo, ishin kthyer të gjithë në klounë.

O tmerr i zi! Një cirk i tërë veç me klounë! Do të shihnim një ëndërr të tërë, një “natë dritë” cirk vetëm me klounë, të cilët do të na bënin për të qarë e për të qeshur derisa të mekeshim e ndoshta edhe të mos zgjoheshim më kurrë.

Skenaristi paska qenë një burrë i zoti dhe së bashku me regjisorin e kishin rregulluar “klounadën” në mënyrë të tillë sa të gjithë ne që shihnim pak nga pak u gjendëm në një horror të madh psikologjik. Klounët e të gjitha ngjyrave luanin kungulleshkën, jo me njëri-tjetrin, por me ne, spektatorët e mbramë, që na qëndronte “për hava” jo vetëm trupi tashmë, por edhe shpirti.

-Reformën e doni të zhdrejtë, apo s’e doni fare? – na thoshin.

Kokat tona lëviznin sa majtas-djathtas, si në një ndeshje tenisi dhe nuk arrinim të flisnim asnjë fjalë. Ta pret mendja, si mund të flisnim kur shfaqja jepej ndërkohë që ne flinim?

Kloun pas klouni, vargklouni pas vargklouni, ashtu si zinxhiri i ADN-së njerëzore, ata s’kishin të mbaruar. Pale të mendosh pastaj se sa mirë e kishin përvetësuar rolin e tyre në shfaqje! More, po kishin ardhur edhe të huaj të mësonin se si mund të funksionojë një cirk veç me klounë cirku, të specializuar për të ta mbajtur shpirtin pezull.

O Zot! Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një populli! Të shohë cirk veç me klounë! Siç duket po vjen fundi i botës!

Dhe në këtë pikë ndjeva time shoqe që më shtyu në ije dhe më tha:

-Por jo mor burrë. Sidorela, që di të lexojë filxhan më mirë se të gjithë te kafja jonë, tha mbrëmë se shumë-shumë zgjedhje të reja do të ketë. Mos u mërzit, hë t’u bëfsha, se shiko na e kalbe dyshekun me djersë e kush vete e blen një tjetër!

-Po, po grua! – i thashë. – Shumë-shumë, vetëm zgjedhje të reja do të kemi. Zgjedhje klounësh, një tufë të madhe klounësh, të cilët me siguri sërish do të votohen nga një tufë njerëzish “për hava”, të cilët s’bëjnë dot pa u mekur ose pa u vdekur nga klounët e tyre të dashur. Po kujt t’ia japim votën? Këta të gjithë klounë janë!

Artan Selenica
Etiketimet
Shperndaje