Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Çfarë duan burrat?

Çfarë duan burrat?
June 20
09:56 2017

Nga Marsida Simo  (sociologe)

 

Deri sot, personalisht nuk kam lexuar ndonjë artikull ku vihet në pikëpyetje se çfarë duan burrat. Thuajse gjithmonë, gratë janë dukur të komplikuara dhe, në mënyrë satirike ose jo, janë vendosur për to disa etiketime të cilat kanë mbetur si të vërteta.

Madje ende sot thuhet si me shaka edhe nga vetë gratë se askush nuk e di tamam se çfarë duan gratë. Pretendohet deri diku se kjo gjini do së pari të ketë siguri nga burri.

Së dyti, të ketë gjithmonë të drejtë dhe mos të kundërshtohet. Po ashtu, gratë kanë shumë dëshirë të bëjnë pazar dhe të shpenzojnë shumë dhe jo me lekët e tyre. Pretendohet se gratë duan të bëjnë pushime luksoze, të shkojnë të bëjnë flokët në parukeri dhe të rrinë gjithë ditën. Mos lëmë pa përmendur edhe etiketimin se gratë duan patjetër të gjejnë një burrë, që më pas ia nxijnë jetën. Mund të këtë edhe me qindra etiketime të tjera, por përmenda më të zakonshmet. Për të vijuar nuk dua ta kundërshtoj, por do hidhem tek etiketimet e gjinisë tjetër.

Nëse gratë janë të gjitha njësoj dhe kanë këto kërkesa i bie që të pretendojmë se edhe burrat janë të krijuar nga një format ashtu si të ishin bërë nga fabrikat. Për këtë gjini qarkullojnë pretendime se janë shoku i qenit vetëm se nuk janë aq besnikë. Burrat duan të ushqehen mirë (dashuria u kalon nga stomaku), të përkëdhelen dhe të flenë. Përveç këtyre thuhet se burrat janë aq të fortë, por përpara një gruaje tundohen lehtë. Madje mund të keni dëgjuar se burrat nuk arsyetojnë me mendje, por me instinkt. Po të vazhdojmë më tej mund të shtojmë edhe se burrat janë përtacë, nuk kujdesen dot për veten, duan të pinë dhe të luajnë bixhoz.

Pra, nëse do konfirmonim se ato që duan gratë janë broçkullat që u përmenden, duhet të pranojmë edhe ato për burrat.

Por jo!

Gratë dhe burrat janë njerëz dhe sa të ndryshëm me njëri-tjetrin, janë edhe të ndryshëm në të njëjtën gjini. Sigurisht që duhet të pranojmë që ka dhe ekzistojnë edhe raste si më sipër. Kush do të udhëhiqet nga instinkti  dhe jo nga arsyeja të paktën mos të përgjithësojë edhe të tjerët. Çfarë duan burrat? Atë që duan edhe gratë.

Të shihen si njerëz, jo si gjini.    /Blitz.al/

Komento
Shperndaje