Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Burra që votojnë pro abortit të grave… ku shkoi e drejta për të zgjedhur?

Burra që votojnë pro abortit të grave… ku shkoi e drejta për të zgjedhur?
May 15
18:45 2019

Nga Ana Limani

Pak kohë më parë, në Gjeorgji u miratua ligji kundër abortit. Dhe ditën e sotme, senati në Alabama po zien nga debati për këtë çështje. Më saktë, 25 burra votuan që vajzat dhe gratë të mos lejohen më të abortojnë, edhe nëse është rast përdhunimi, edhe nëse është incest.

Burra që votojnë pro abortit të grave… ku shkoi e drejta për të zgjedhur? Edhe pse aborti, njësoj si shtatzënia është një zgjedhje që i takon të dy palëve, në fund të ditës një burrë nuk do e dijë asnjëherë si është të mbash 9 muaj në bark e një jetë në krahë, një fëmijë që nuk e dëshiroje. Se në fund të ditës, këta 25 burra mund të jenë të përgjegjshëm e ta ndihmojnë partneren për rritjen e fëmijës, por mijëra të tjerë largohen sa hap e mbyll sytë. Dhe në fund të ditës, qoftë me 1% është një zgjedhje që i takon më shumë grave.

“Sapo i thatë vajzës time që ti nuk ke rëndësi. Që Alabamës nuk i intereson fare për ty zemër, duhet të shkoj në shtëpi dhe t’ja them këtë. Mund të përdhunohesh, ose një nga xhaxhallarët ose kushërinjtë ose dikush mund të të përdhunojë, të të lërë shtatzënë dhe të të duhet ta mbash fëmijën sepse…ligji.”- kështu u shpreh i përlotur senatori Bobby Singleton ditën e sotme.

Sepse në vend që të ashpërsohen ligjet kundër përdhunimeve, dhe të forcohet sensibilizimi për këtë krim kaq të rëndë, merren me të drejtën e abortit. Ligji i ri që tashmë është në dorën e një firme të vetme, nuk bën përjashtime as për incestin, as për përdhunimin. Dhe arsyetimi i tyre? Ke 6 javë kohë për të marr një vendim, derisa të zbulohen rrahjet e para të zemrës së fetusit. Pra, sipas këtij ligji një 15 vjeçare që sapo ka kaluar një traumë fizike dhe psikologjike të përdhunimit, që brenda 6 javëve nuk e di aspak se ka mbetur shtatzënë, duhet ta mbajë fëmijën. Sa herë ta shohë do i kujtojë atë që kaloi, nuk do dijë ta rrisë e as ta edukojë, sepse është vetë ende një fëmijë. Ky është ligji që të gjithë po përkrahin? Dhe jo, nuk ka më “do e marrin parasysh këtë”, sepse ligji siç thuhet nuk bën përjashtime.

I vetmi përjashtim në fakt është kur rrezikon shëndetin e nënës, ose fëmija ka probleme të rënda shëndetësore. Qesharake! Po për shëndetin mendor të nënës mendoi njeri? Jo, sigurisht që jo. As për atë emocional.

“Pro-jetë” nuk është vetëm bardhë e zi, ndërkohë ligji nuk njeh gri. Le të dëgjojmë më tepër gratë dhe vajzat, që e kanë përjetuar mbi supe këtë eksperiencë, përpara se me fuqinë e burrave ligjvënës t’i marrim atyre lirinë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje