Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Borshi me bregdet të mrekullueshëm dhe kala në mëshirë të fatit- nga Marin Mema

Borshi me bregdet të mrekullueshëm dhe kala në mëshirë të fatit- nga Marin Mema
February 08
19:57 2019

Borshi nuk është vetëm një nga qendrat më joshëse të bregdetit jugor shqiptar, por edhe një hapësirë që qëndron mbi themelet e një historie fort të vjetër. Thuajse të gjithë janë tërhequr nga kalaja që ngrihet në pjesën më të sipërme, por padyshim pak e njohin lashtësinë e saj.

Ajo e ndan të shkuarën natyrshëm në disa periudha që nga ajo ilire tek ajo mesjetare dhe më tej. Në periudhën më të hershme kalaja e Borshit ka shërbyer si një pikë e rëndësishme e bregdetit Kaon, ç’ka dëshmohet nga zbulimet arkeologjike të lidhura më këtë hapësirë kohore. Por jo vetëm kaq, sepse një tjetër aks e lidhte këtë qendër edhe me Amantian e territoret e saj. Kjo tregon pozicionin strategjik që ka pasur Borshi në kryqëzimet e botës së lashtë ilire, ku lidhjet me Orikun e Aulonën janë gjithashtu parësore.

Mendohet se shekulli i IV para erës sonë përfaqëson një gjurmë të rëndësishme në këtë qendër edhe pse rrënjët padyshim i ka shumë më të hershme. Të gjitha të dhënat e zbuluara gjatë gërmimeve të pakta i kanë pozicionuar qartazi arkeologët në qëndrimin se ky ka qenë një qytet i vogël i lashtësisë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se jeta në Borshin e vjetër është ndalur vetëm në këtë periudhë sepse të dhënat flasin për vazhdimësi në mesjetë e natyrshëm edhe më tej.

Sot kalaja si shumë monumente të tjera është lënë në mëshirë të fatit. Historia e saj do kërkuar ndër botime të vjetra e dokumenta të sjella nga arkeologët sepse e sotmja është mbytur nga harresa dhe mungesa e projekteve për ta shfrytëzuar si një resurs turistik.

Ne akoma nuk e njohim plotësisht historinë e Borshit dhe me këto politika të ndjekura nuk dihet nëse do ta njohim ndonjëherë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje