Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Boll me fotografi të grisura, tani mund të qëndrosh shok me ish-in!

Boll me fotografi të grisura, tani mund të qëndrosh shok me ish-in!
April 02
18:33 2019

Jemi mësuar që ndarjet t’i shohim me të bërtitura, me sharje dhe me shprehje të dedikuara në rrjete sociale. Dhe vite më vonë pas ndarjes, ende flasim me mllef për ish partnerin/en. Shumë njerëz shprehen se është e pamundur të qëndrojnë mik me dikë që e kanë dashur dhe i ka lënduar, sepse të jetosh me kujtimet që rikthehen është e dhimbshme.

Zgjedhja i takon gjithsecilit, por në momentin që dikush vendos të mbajë marrëdhënie me një dashuri të së shkuarës, ju lutem mos e cilësoni si të çuditshme, si diçka që nuk ka mundësi të jetë, si një “mos po rikthehen”. Është e gjithë kjo zhurmë që krijohet që shpesh na lë të ngecur në atë mendësi që diçka që mbaron është e rrezikshme, toksike, e duhet mbajtur larg. Gjërat janë të përkohshme e mbarojnë (ose transformohen në një formë tjetër), por nuk do të thotë që nuk kanë vlerë.

Mund të ndahesh me dikë për një milion arsye, jo vetëm tradhëtia apo mungesa e dashurisë. Dhe po, mund ta mbash mik ish-të dashurin. Kur themi mik, nuk nënkuptohet domosdoshmërisht një person që e ke pjesë të përditshmërisë sepse fundja ç’kuptim kishte ndarja? Por mund ta kesh një mik që tek-tuk dhe mund të shkëmbeni një kafe apo bisedë, që buzëqeshni dhe përgëzoni arritjet e njëri-tjetrit. Boll me fotografi të grisura, tani mund të jesh shok me ishin! Lejoji vetes mundësinë të shërohesh nga e shkuara, dhe ta pranosh si diçka të bukur.

Ndonëse në Shqipërinë tonë të vogël, shihet si gjëja më e rrallë që mund të ndodhë, të mbetesh shok me ishin tregon shumë. Tregon që keni arritur të konsolidoni një urë komunikimi që i kalon të gjitha, që keni qenë të sinqertë me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, që dini të falni. Jo, nuk do të thotë që nuk e ke dashur kurrë. Përkundrazi ndonjëherë ndodh ta kesh dashur aq shumë dhe mbi të gjitha ta kesh pasur shok/shoqe para se ta kishe dashuri, prandaj do e kesh gjithnjë pjesë të jetës tënde. Sepse dashuritë e reja mund të zënë vendin kryesor në jetën tënde, por nuk fshijnë dot nga kujtimet lumturinë e dikurshme.

Fundja më i çuditshëm më duket fakti që një “gjithçka” e dikurshme të kthehet në “asgjë”. Sepse ai është po i njëjti person që ke vlerësuar dikur, është po i njëjti person që ke ndarë lumturinë, është ndoshta i vetmi që e kupton një pjesë të jetës tënde më mirë se askush tjetër.

Dhe respekti e dashamirësia mbetet, dhe mbas stuhisë më të madhe. Mund të humbësh një dashuri, por pse të humbësh një mik të mirë? Nëse e ndërton marrëdhënien në baza të forta miqësie, mirëkuptimi dhe komunikimi është shumë e mundur të qëndrosh mik me dikë. Nëse dikush ka qenë mbështetje e madhe, pse të mos vazhdojë të jetë ende? Nëse ndihmoni njeri-tjetrin të ecni përpara në jetë, pse të lini inatet e së shkuarës t’ju pengojnë?

Mendojeni ndarjen si diçka që lë pas në të shkuarën keqkuptimet, ndjenjat e këqija, moslumturinë, inatet dhe mban në krahë mikun me virtytet dhe gjërat që të bëjnë të lumtur.

Prandaj, nëse zgjidhni t’i fshini nga kujtesa është totalisht e drejta juaj. Ama mos i quani më “të pazakontë” e “të çuditshëm” dy persona që zgjedhin të kenë njëri-tjetrin ende në jetët e tyre, ndonëse në një formë të re.

Nga Ana Limani

/Blitz.al/

Share