Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bizneset Call Center dhe pafytyrësia e politikës shqiptare

Bizneset Call Center dhe pafytyrësia e politikës shqiptare
December 09
13:32 2016

Nga Elton Dono

 

Nuk është mbushur java që Senati italian kaloi me votë ligjin e ri që rregullon tregun e bizneseve Call Center që veprojnë brenda apo jashtë territorit italian. Ligji ishte miratuar më parë nga Parlamenti pas muajsh të tërë diskutimesh e tashmë pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt.

Ky ligj do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fitimet e kompanive që operojnë në Shqipëri, si dhe në numrin e punonjësve të tyre, që pritët të ulet në mënyrë drastike.

Por çfarë dëgjuam ne këta muaj dhe çfarë po dëgjojmë sot?

Ligji ka muaj të tërë që diskutohet në Itali dhe deri sot në rangje zyrtare nuk ka lobuar thuajse askush nga autoritetet shqiptare për ta ndaluar ligjin ose të paktën për të eliminuar disa pjesë të tij që dëmtojnë drejtpërdrejt vendet jo anëtare të BE-së.

Në fund të fundit, nga kush duhej ta prisnim këtë lobim?

Nga përfaqësuesit më të prekur të bizneseve natyrisht. Ata e bënë pjesën e tyre me sa mund t’u dëgjohej fjala e nuk ia dolën dot mbanë.

Nga ministrat apo konsujt a ambasadorët do të vinte përgjigjja më e plotë.

Por cila ambasadë? Ajo e Milanos që nuk denjon të presë as emigrantët atje dhe ua bën ferr jetën me vonesa e burokracira pa fund?

Nga ministrat e drejtorët që bredhin pa teklif rrugëve të Europës për të bërë blerje, pa çarë kokën aspak për fatin e të rinjve shqiptarë, por vetëm për xhepat e tyre?

Nga kush pra? Këtë duhet të na e thonë ata, Zeusët në krye. Po presim. Por sigurisht nuk kanë për ta bërë. Sepse janë të zënë duke bërë ndonjë blerje online apo porositur bileta për udhëtime diku andej nga Palma de Mallorca, Berlini a SHBA-ja.

Pra lobimi nuk ka ndodhur. E tashmë ne vendosemi përballë faktit të kryer.

Ligji ka kaluar dhe janë në rrezik 25 mijë vende pune. Madje, që pa hyrë në fuqi ligji, disa biznese janë larguar drejt Rumanisë për të shmangur shpenzimet me sistemet e reja që detyron ligji.

25 mijë të rinj, shto këtu edhe familjet e tyre, mund të jenë mbi 100 mijë qytetarë që po diskutojnë çdo ditë fatin, të ardhmen.  Atë fat që e ka nëpërkëmbur politika, qeveria a opozita nuk ka aspak rëndësi, secili duhej të jepte kontributin e vet, lobimin me mënyrat e veta.

Por ata nuk e bënë këtë. Sepse janë një llum i përbashkët, që mendojnë vetëm për interesat e momentit e në këtë rast kanë preferuar të qëndrojnë të heshtur.

Jo vetëm që nuk hapin vende pune, por edhe ato që janë të hapura, përpiqen t’i mbyllin drejtpërdrejt ose tërthorazi, kjo s’ka aspak rëndësi.

Ata nuk çajnë kokën për fatin tonë. Fluturojnë në parajsat e tyre mendore jashtë realitetit.

Kurse ne jemi me këmbë në tokë. Të një toke që po i tronditen themelet rëndë. /Blitz.al/

 

 

Shperndaje