Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Birit tim të ardhshëm, një ditë…

Birit tim të ardhshëm, një ditë…
February 07
16:00 2017

Nga Desantila Vatnikaj

Do të dal duke qarë prej vizitës time të parë, kur doktori të më thotë me gëzim se do të bëhem me djalë. Do të qaj, po, po, do të qaj me dënesë si fajtore që çdo ditë ëndërroja të ishe vajzë! Do të të dua…

Do t’i pohoj duke qarë, biri im, babait tënd se do të bëhet me trashëgimtar e lotët e tij do të bëhen edhe më të fortë se të mitë!

Do të qaj me lot gëzimi kur të të puth sytë shtrënguar në duar ditën që do të vish në jetë, si një pikë hëne këputur qiellit drejt e në shkëlqimin e syve të tu! Do të të dua… kur të më zgjosh netëve se do të kesh temperaturë, kur të shohësh ëndrra e të ngutesh të hysh në gjirin tim për t’u strukur brenda asaj dashurie që merr jetë me ty!

Do të më mbushet kraharori plot ditën kur të kthehesh prej shkollës e me ngutje të më tregosh se yjet kanë mbuluar fletoren tënde. 

Qirinjtë e çdo ditëlindjeje time do të mbajnë gjithë dëshirat e mia për ty. 

Mbi të gjitha, bëhu njeri i mirë shpirt! Mbi çdo njeri, duaj veten, duaj botën! Mos u ndal asnjëherë, për asnjë arsye, mos lejo askënd të të thotë se nuk mundesh, ti je i bërë me dashuri, fuqia e saj është e mbinatyrshme!

Duaje femrën, në çdo formë!

Nuk ka burrëri më të denjë sesa fisnikëria, i mençuri im, bëhu tolerant, je balsami i dashurisë së jetës time, jepe këtë energji edhe rreth të tjerëve! Duaji njerëzit, asnjë e keqe nuk të vjen prej një zemre plot, ti që më jep ushqim për shpirtin, ndaje këtë pasuri tënden me botën!

Do të qaj për ty, sepse ti më paske dashur më shumë, ndaj erdhe tek unë… Do të qaj me sytë qiellit për të thënë faleminderit, mora më shumë se çfarë meritoja!

Nëse një ditë, kur jetës të jem duke i puthur lamtumirën e do të kthehesh duke qarë ti tek unë, biri im do të të them, të desha shumë…

/Blitz.al/

Shperndaje