Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Berisha e Vogël” me kështjellë të madhe (nga Marin Mema)

“Berisha e Vogël” me kështjellë të madhe (nga Marin Mema)
November 01
12:18 2018

Në rrethin e Pukës, në fshatin Berishë e Vogël, një kështjellë tërheq vëmendjen. Kështjella e Zhupit ngrihet mes lagjeve Zhup dhe Skvinë, mbi një pozicion strategjik të vendosur në mes të kodrës dhe plotësisht e mbrojtur nga natyra, gjë që e favorizonte në përballimin e sulmeve të armiqve. Sipas studiuesit Xhemal Meçi, ky pozicion kaq i mirë, ndër të tjera i jepte mundësinë për të pasur një kënd të gjerë shikimi, që niste që aty ku derdhej lumi i Shalës, vijonte më tej me Dushmanin përballë, luginën e Drinit poshtë, etj. Nëse analizohen faktet historike, kështjella duhet të jetë ndërtuar para shek. të XV-të nga feudalë vendas për qëllimet e tyre, por pa arritur ta kthejnë në një qendër banimi të fortifikuar. Kështjella e Zhupit duhet të ketë shërbyer në mënyrë të veçantë gjatë periudhës së lulëzimit ekonomik të periudhës së hershme të shek. VII-IX, kur zonat e brendshme fituan rëndësi, por edhe për faktin se sulmet e fiseve barbare që shqetësuan Perandorinë Bizantine e detyruan atë dhe banorët vendas, më vonë edhe feudalë, të marrin masa mbrojtëse duke ndërtuar fortesa të tilla.

Gjithashtu ka të dhëna që e lidhin praninë e kësaj kështjelle me një rrugë të vjetër karvanesh që vinte nga Shkodra për në Kosovë. Kjo rrugë mendohet të ketë qenë më e shkurtra dhe më e sigurta për këtë itinerar dhe që ndër të tjera përmendet edhe në shënimet e dijetarit Franc Nopça.

Por lidhur me kështjellën e Zhupit janë dëgjuar edhe gojëdhënë, të cilat flasin se nga kjo kështjellë mbrohej vendi prej Venedikut, i cili kishte zaptuar malësinë deri në Dushman. Armiqtë kërkonin rastin të sulmonin në befasi derisa një ditë të diel e rrethuan dhe e sulmuan aq sa të gjithë vendasit mbetën të vdekur dhe gjaku rodhi poshtë për në lum, në formë përroi. Edhe sot ai quhet “Përroi i Gjakut”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje