Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Berati i sarajave, tregëtisë dhe pëlhurave të çmuara

Berati i sarajave, tregëtisë dhe pëlhurave të çmuara
November 27
22:15 2017

Nga Marin Mema

Kujtimet e ardhura përmes shënimeve të kronistëve të huaj, duhet të trajtohen sot si një vlerë e shtuar e memories kulturore e historike që na është trashëguar ndër shekuj. Evlija Çelebi, një udhëtar dhe kronist otoman përmes kujtimeve të tij që mendohet se datojnë në 1670, sjell detaje mjaft interesante mbi Beratin, që mbetet ende një nga pikat e forta të krenarisë kulturore dhe turistike që Shqipëria ofron edhe sot.

Fillimisht, ajo që të bën përshtypje është vlerësimi i Çelebisë për banorët e Beratit, të cilët sipas tij ishin tregtarë të spikatur, përtej mjeshtërive të tjera që kishin dhunti.Mesa kuptohet nga të dhënat e tij, për shkak të aftësive të banorëve të Beratit në tregti, ata e kishin thuajse në perfeksion të organizuar punën e tyre në tregje apo pazare, që ngjajnë me fizionominë apo strukturën e qendrave tregtare bashkëkohore.

Nga përshkrimet e tij plot detaje interesante kuptohet qartë përshtypja e jashtëzakonshme që ky treg i ka bërë Çelebisë. Shënimet e tij flasin fillimisht për një treg i cili është i shtrirë në 800 hapa gjatësi dhe ndahet në 4 qendra kryesore me 700 dyqane, ku përmbushen shijet e kujtdo, përfshirë edhe të atyre që parapëlqejnë pëlhurat e çmuara.

Por më tej, Çelebi shkruan edhe mbi një treg tjetër të ri, të vendosur pranë lumit, brenda të cilit gjendeshin 6 kafene dhe kulla e sahatit. Këto të dhëna janë gjithashtu pjesë e detajeve që sjell Çelebi në përshkrimin e tij, provë tjetër e madhështisë së këtij tregu me plot 100 dyqane.

Padyshim që detaji i cili spikat edhe sot në Berat është përdorimi i kalldrëmit, gjë që përcillet edhe në përshkrimin e Çelebisë.

Interesant është fakti i ekzistencës së rreth 100 sarajeve dhe 2 hamamëve të ndodhura jashtë mureve të kalasë, ku gjithashtu numërohen shumë shtëpi, të grupuara në 30 lagje nga të cilat 10 janë të populluara nga banorë të krishterë.

Fortesa e Beratit thekson ai është ndërtuar në formën e një shandani në majën e një kodre të pjerrët dhe të zhveshur që shtrihet në drejtimin veri-jug. Ajo duket e fuqishme dhe madhështore, një fortesë e qëndrueshme e ndërtuar me gurë të lëmuar dhe të prerë në formë kallëpesh të mëdhenj. Periferia e gjithë murit rrethues të kështjellës është 2600 hapa të mëdha. Ka katër porta të forta dhe të qëndrueshme./Blitz.al/

Shperndaje