Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bëni kujdes, këta janë koka të mëdha!

Bëni kujdes, këta janë koka të mëdha!
November 13
13:26 2016

I keni parë? Ata gjykojnë gjithçka e gjithkënd, flasin e riflasin sikur të jenë zot fatesh e fate njerëzish. Ata i dinë të gjitha, jo thjesht politikën, ekonominë, drejtësinë, arsimin, por edhe astronominë, gastronominë, mjekësinë, ndërzimin artificial… Mërmërisin për shanse të humbura, për realitete të mbaruara, rrugë të pagjetura, për pikturën, kinemanë, mjedisin…
Edhe po dolën nga kuadri mediatik fillojnë shajnë shqiptarët, shajnë historinë, figurat kombëtare, sepse për ta ka rëndësi vetëm të jenë në qendër të vëmendjes. Fundja, duan disa dyshka më shumë e për dyshka morali i tyre shitet e blihet si një rreckë pa vlerë.
Ka shumë opinionistë (sigurisht, jo të gjithë) që të bëjnë të qeshësh sepse komentojnë problemet në bujqësi, por kurrë s’i kanë bërë këpucët me baltë në përpjekje për të dëgjuar problemet që gjeneron ky sektor atje poshtë, te banorët e fshatrave. Flasin për monumentet e kulturës, kur i vetmi që mund të kenë parë (edhe për këtë jam dyshues) është kalaja në qendër të Tiranës, edhe aty kur janë të ftuar për ndonjë kafe nga deputetët e radhës në parlament.
Këta të shumëzgjuar e mendjethellë llomotisin mbi varfërinë, pa prekur kurrë në jetën e tyre duart e një njeriu që jeton në skamje, pa u parë sytë, pa u ndierë hallet, lëkurën e rreshkur e lotët që sjell mungesa e shpresës. Përkundrazi, komentatorët e ngjeshur me kostume firmato e ora të shtrenjta kanë ndot nga njerëz të tillë, edhe pse flasin në emër të tyre. Urrejnë kundërmimin që prodhon pamundësia, edhe pse në emër të saj predikojnë.
Shumica e opinionistëve flasin për infrastrukturën, pa ditur ku bien shumë fshatra të thellë në Shqipëri, aq më pak se si jetohet realisht në to. Komentojnë besimet, zonat e caktuara, të cilat i njohin vetëm përmes kërkimeve në Google ose ndonjë radhe të lexuar diku shkarazi.
Nga e qeshura, vendin e zë e qara, sepse nuk ka se si të mos qash kur shikon vendin tënd të mbllaçitet në gojë të përlyera me interesa të momentit. Këta komentojnë drejtësinë, edhe pse kanë, në mos pasuritë e gjyqtarëve e prokurorëve, mjaftueshëm sa për të bërë një jetë luksoze ndryshe nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Askush të mos mendojë se fajin e ka vetëm politika, për sa kohë shumë nga këta burracë janë hedhur nga kampi në kamp, nga prehri në prehër, nga interesi në interes, duke u dredhur e spërdredhur si kërcimtare të afta e duke manipuluar më pas publikun për çështje të caktuara.
Këta krijojnë mendime, arsyetime, qëndrime, krijojnë opinione në emër të interesit publik, kur në fakt interesi i tyre është shumë i ndryshëm. Sigurisht, nuk ka asgjë anormale tek ata opinionistë që komentojnë nisur nga besimi i tyre, partiak ose jo, kjo është shumë më e ndershme sesa t’i shitesh opinionit si i pavarur, kur je i varur nën rrogoz. Opinionistët partiakë janë gjithkund, ndërsa manipulatorët e prestigjiatorët e fjalëve jo, mbi të gjitha kur ata janë kaq shumë e kaq pak të ndershëm.
Këta flasin për mbrojtjen e mjedisit, por kurrë s’e kanë bërë një protestë në mbrojtje të Lurës, të Vithkuqit, të pyjeve të Gërmenjit, të Librazhdit e gjetkë. Flasin për punësimin, por kurrë s’kanë qenë të papunë. Komentojnë shtresën e mesme, të cilës nuk i përkasin. Jargaviten për çmimet e shtrenjta, për karburantin, për gjithçka që nuk e ndiejnë. Dërdëllisin në emër të jetës pa denjuar të shkojnë në shtëpinë e një minatori të vrarë, e aq më pak të kuptojnë brenda në minierë kushtet në të cilat ata punojnë. Koka e tyre vlen shumë e ata s’mund të rrezikojnë që Shqipëria të mbetet pa mendimet e tyre të vyera. Ata s’janë njerëz të thjeshtë, nuk janë minatorë, as peshkatarë, nuk punojnë në ndërtim, as si teknikë të thjeshtë shtyllave të tensionit… këta janë koka, pak rëndësi ka se çfarë kokash…
E dini? Këta të cilësojnë patetik nëse flet e shkruan për kombin, për historinë, për skamjen, për njerëzit e thjeshtë, për jetën që ata i rrethon. Të quajnë patetik sepse ata e bëjnë këtë gjë vetëm kur ua kërkon portofoli ose vëmendja e madhe e lidhur me ndonjë çështje të caktuar. Vetëm atëherë ti zbulon se këta i kanë të gjitha, edhe ndjeshmërinë për kulturën, artin, fëmijët, shkollimin, figurat historike. Në bazë të interesit ndërrohet edhe maska, pas tyre fshihet e njëjta fytyrë që të gjykon në kohë të tjera, por që sot të shikon shtrembër e nga pozita parimore e këshilluese.
Turpi për ta nuk ekziston. Këta janë koka të mëdha.

Komento
Shperndaje