Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Bekim Lumi, frymëzues deri në ikje…” (nga Kozeta Kurti)

“Bekim Lumi, frymëzues deri në ikje…” (nga Kozeta Kurti)
July 31
14:44 2018

Nga Kozeta Kurti

Unë nuk e njihja nga afër Bekim Lumin! I kam dhënë veç një herë dorën, ndaj nuk mund të jem hipokrite e në këto rreshta ta përshkruaj humbjen e tij si një humbje a dhimbje personale se më vjen turp të luaj teatër të keq përballë kujtimit të një regjisori. Shpesh ne “privatizojmë” edhe vdekjen për pak ekspozim e vizibilitet.

Ajo që di për të, metoda e mësimdhënies, puna në grup dhe aftësitë e tij në këto drejtime, është ajo ç’kam dëgjuar prej ish studentëve të tij, miqve apo kolegëve.

Këto orët e fundit kur në profile të miqve të përbashkët në rrjete sociale, kam vënë re kujtime të shpërndara, lajme që njoftojnë ikjen e tij, më ngec në grykë shfaqja e tij e fundit, që për fat, pata mundësinë ta shoh.

E harrova “Arturo Ui”-në që regjisori i ndjerë e vuri në skenë në kuadër të 120 vjetorit të lindjes së Brechtit e në kuadër të 20 vjetorit të karrierës së tij, sepse nuk më la kohë të mendoj për punën e tij, përballë sakrificës për ta mbyllur atë shfaqje në karrige me rrota, për t’u shtruar më pas në spital, nga ku nuk doli më gjallë.

Përse u përpoq kaq shumë Bekimi i bekuar? Për të marrë paratë e financuara të projektit artistik? Për të justifikuar ndonjë rrogë? Për të krijuar emër të madh, famë e popullaritet?

Ç’i duheshin dhjetërat, qindrat, mijërat, milionat një njeriu që ishte i vetëdijshëm që vdekja po i trokiste në derë çdo sekond? Sikur të ekzistonin… e sikur me to të mundte të blinte vazhdimësinë e jetës….

Ç’i duheshin lajmet për rikthimin e tij në punët skenike një njeriu që ishte pajtuar me fatin e vet… asgjë s’i duheshin, përveç faktit se artisti që e dinte se po ikte, s’mund të ikte bosh, por do ta ngjyente edhe një herë kafshatën në pjatën e mbushur plot me ushqim shpirti, sepse donte të  ikte “i ngopur”.

Sa me dinjitet shkoi Bekimi! Ndjehem “xheloze” për dinjitetin e tij, kur shoh se si shpërbëhet ai tek shumë kolegë të Bekimit, tek lëpirësit e uritur të kockave të hedhura pa kujdes…

Sa i lirë shkoi Bekimi! Ndjehem “xheloze” për lirinë e tij, kur shoh se sa lirë e shesin lirinë e tyre shumë kolegë të Bekimit!

Sa i madh shkoi Bekimi! Ndjehem “xheloze” për madhësinë e madhështinë e tij, kur shoh se sa të vegjël janë shumë prej kolegëve të tij të Shqipërisë dhe institucionet tona gjithashtu, ndërkohë që Prishtina “e shqeu” infrastrukturën e vet me salla e ekspozita në ndihmë të artistit, por punë e madhe: Solidariteti ishte shumëfish më i madh, krahasuar me mungesën e mbështetjes.

Bekimi nuk arriti të shihte finalizimin e shfaqjes së tij të fundit! “Arturo Ui”, ishte e parafundit, sepse shfaqja finale ishte regjia e përcjelljes së tij në banesën e fundit, për të cilën ishte kujdesur vetë të linte porositë e detajuara, para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë.

Pushofsh në paqe Bekim! Ti shkove i përmendur; jo për punët që bëre, jo për arritjet e çmimet që i solle Kosovës, por mbi të gjitha, për pasionin dhe frymëzimin që LUM kush do të të kuptojë Bekim Lumi! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje