Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bashtova e historisë- nga Marin Mema

Bashtova e historisë- nga Marin Mema
November 16
23:17 2017

Kalaja e Bashtovës është një ndër monumentet më interesante, por jo aq të njohura nga publiku i gjerë.  Vizitorët në shumicën dërrmuese janë fotografët që sjellin këtu çifte për të kryer fotografitë tradicionale të albumit paramartesor. Në këto kushte fillon dhe mbaron njohja e këtij vendi që sipas te dhënave daton që prej shekullit të XV.

Kalaja ndodhet diku 13 kilometra nga fshati Gosë i Bashkisë Rrogozhinë dhe është lehtësisht e arritshme përmes një rruge të shtruar, e cila për fat të keq, në mungesë të reklamimit nuk ka mundur të fitojë interesimin e turistëve.

Fortifikimi gjendet në një terren fushor rreth 400 metra larg lumit Shkumbin dhe 4 apo 5 kilometra larg grykëderdhjes së tij në det. Mendohet se kalaja e Bashtovës ka patur tre hyrje, çka sipas historianit dhe specialistit të monumentete Gjerak Karaiskaj është e dallueshme përmes gjurmëve të ndryshme.

Me shumë gjasa kalaja është ndërtuar në periudhën e fundit para pushtimit osman si formë për të penguar avancimin e këtyre të fundit, ndërkohë që pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe pushtimit të Arbërisë ajo u kthye në një garnizon, ku mes punimeve restauruese u ndërtuan edhe disa fjetina për ushtarët.

Profesor Karaiskaj mendon se osmanët kryen edhe punime restauruese në kala, që megjithatë janë bërë pa ndonjë cilësi të veçantë. Lartësia e mureve diku tetë apo nëntë metra, por edhe struktura e saj ka patur parasysh që pavarësisht pozicionit fushor, ajo të kishte një fuqi të konsiderushme mbrojtëse. Për këtë arsye fortifikimi ka disa nivele luftimi që përfshijnë veç mureve edhe kullat. Edhe në shekullin e XVII ky vend vazhdoi të funksiononte si një garnizon ushtarak pa pësuar ndryshime rrënjësore në strukturën e saj, perveç një muri që sipas dokumentave ishte rrëzuar nga vërshimi i lumit.

Vlen për t’u përmëndur fakti se Bashtova njihet në histori si një skelë e rëndësishme e tregëtisë të drithit, ndaj edhe kjo kala kishte një vlerë të veçantë.

Ndërtuesit e saj të parë sipas historianit çek Kostandin Jireçek mund të kenë qënë Matrangat, një familje fisnike shqiptare e shekullit të XIV, më pas ka kaluar tek Muzakajt e kështu me radhë duke ju përshtatur pushtimeve që ndodhën në trojet arbërore. Në këtë pikë sigurisht ka mjaft të dhëna që bien në kundërshtim me njëra tjetrën, ku kryesorja mbetët periudha e saktë e datimit të saj.

Në çdo rast fakt mbetet se në shekullin e XVII kur udhëtari dhe kronikani turk Celebi kaloi në këto anë ai mbeti i mahnitur nga kjo kala, e cila e ruan origjinalitetin e saj edhe sot. Për fat të keq ndryshe nga dikur sot këtu ka vetëm heshtje, mure të vetmuar, e diku një fotograf i ri që vjen kur ne po largohemi…

Komento
Shperndaje