Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aviacioni luftarak shqiptar (Nga Marin Mema)

Aviacioni luftarak shqiptar (Nga Marin Mema)
April 07
16:52 2019

Nga Marin Mema

Në vitin 1945 nisi përgatitja e pilotëve të parë shqiptar, ish partizanë të cilët u dërguan në Jugosllavinë e kohës për t’u arsimuar në shkollën e aviacionit. Kualifikimi zgjati deri në vitin 1948, kur marrëdhëniet u prishën. Megjithatë shteti komunist nuk u tërhoq nga objektivi për të krijuar një bërthamë pilotësh të aftë që do të shndërrohej më pas në pararojën e aviacionit shqiptar, ndaj edhe përgatitja e tyre u zhvendos nga Jugosllavia në Bashkimin Sovjetik.

Zyrtarisht forcat ajërore shqiptare u krijuan në vitin 1951 në Tiranë. Avionët e parë ishin Jak18 dhe Po2. Por ky ishte vetëm fillimi sepse disa vite më pas nisi mbërritja e Migëve të famshëm përmes të cilëve u krijua reparti i parë i aviacionit reaktiv në bazën e Kuçovës.

14 ishin pilotët që pas shkollimit jashtë vendit, u rikthyen për të krijuar skuadriljen e parë shqiptare. Nga viti 1951 e më tej numri i tyre u rrit si pasojë e kthimit të vazhdueshëm të të diplomuarve në Bashkimin Sovjetik. Në maj të vitit 1955 mori jetë regjimenti i aviacionit gjuajtës Peza, me bazë në Kuçovë. Mig 15 apo avioni i parë luftarak i vendosur në Kuçovë, gjeti hapësirë të gjerë përdorimi në të gjitha vendet pjesë përbërëse të Traktatit të Varshavës. Ata u provuan në formë të drejtëpërdrejtë në konfliktin mes dy Koreve nga viti 1950 ne atë 1953.

Në fakt avionët Lohner Daimler ishin të parët që qeveria shqiptare e kohës  porositi në Austri në vitin 1914 dhe përmes të cilëve kërkoi të krijonte një korpus ajror. Megjithatë ndryshimet e mëdha dhe periudha e turbullt që përjetonte Shqipëria e bënë të pamundur realizimin e këtij projekti. Ai u rimor në vitet 30 kur mjaft ushtarakë u dërguan për t’u arsimuar në Austri, Itali apo Francë. Megjithatë përtej transportit të thjeshtë ajror që u zhvillua në fundvitet 20, ai ushtarak u zyrtarizua vetëm në 1951, ndërsa nga mesi i viteve 60 e më tej mori formë të plotë. Trupave ajrore ju shtuan avionët Mig 17 , Mig 19, por edhe dhjetra helikopterë e një bombarduues IL 28. Ndërsa në vitin 1962 u krijua shkolla e aviacionit në qytetin e Vlorës, një ndër bazat më të rëndësishme në krijimin e pilotëve të rinj shqiptarë.

Regjimenti i helikopterëve Mi4 i pajisur me një mitraloz 12,7 shërbente jo vetëm për detyra ushtarake, por në të shumtën e rasteve misionet e mëse 60 pilotëve u përqëndruan në situatat e emergjencave civile. Ky regjiment i krijuar në vitin 1967 në Farkë shërbeu në mjaft momente të vështira, deri edhe në vitin 1999 përgjatë luftës së Kosovës.

Shqipëria flotët e avionëve luftarakë e plotësoi me 12, Mig 21, prodhim kinez dhe një avion supersonik që për kohën kushtonte disa miliona dollarë.

Pas bazës në Kuçovë ku perfshihej edhe uzina e aviacionit, repartit të transportit ushtarak në Tiranë, regjimentit të Rinasit atij të helikopterëve dhe shkollës së aviacionit, u mendua ndërtimi i një baze të madhe në veri të vendit.  Qëllimi kryesor ishte që të mbahej nën kontroll e të pengohej çdo shkelje ajërore e avionëve Jugosllavë. Investimi nisi në vitet 60 dhe në pak kohë u ngrit një ndër bazat më te njohura të ushtrisë shqiptare, ajo e Gjadrit afër Lezhës ku u vendosën në brëndësi të malit rreth 50 avionë Mig.

Fuqia e armës ajrore shqiptare arriti në shifra të konsiderueshme. Për të kuptuar këtë fakt mjafton t’i referohesh të dhënave zyrtare. Shqipëria një vend i vogël, gëzonte mbi 240 mjete fluturuese të llojeve dhe tipeve të ndryshme, çka e bënin një forcë të rëndësishme në rajon për kohën. Situata për aviacionin shqiptar u vështirësua pas prishjes me kinezët në vitin 1978. Ekspertët theksojnë se fillimi i viteve 80 paraqiti momentin më delikat për ruajtjen dhe mbajtjen në nivelin e duhur të flotës ajërore.

Ulja e orëve të fluturimit ishte masa e pare dhe nga krahu tjetër u ngritën reparte të posaçme inxhinierësh, ndërsa në mes vitet 80 u realizua blerja e disa pajisjeve moderne nga Suedia. Kjo ishte forma me të cilën u shmang shkatërrimi i flotës ajërore, pavarësisht prishjes me vëndet e fuqishme që kishin ndihmuar në ngritjen e saj. Megjithatë pas viteve 90 aviacioni luftarak shqiptar nisi një tatëpjetë të fortë që do të çonte në shuarjen e tij. /Blitz.al/

 

 

 

Komento
Shperndaje