Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“At Shtjefën Gjeçovi, në memorie të visareve të grabitura kombëtare” – nga Marin Mema

“At Shtjefën Gjeçovi, në memorie të visareve të grabitura kombëtare” – nga Marin Mema
November 22
21:20 2017

Nga: Marin Mema

Pak javë më parë u shënua 88 vjetori i vdekjes së njërit prej rilindasve më të njohur shqiptar At Shtjefën Gjeçovit, që ka lënë pas vepra me vlerë, mes tyre edhe kryeveprën “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.Por përtej aktivitetit të tij si shkrimtar, publicist, folklorist apo edhe teolog, një vlerë madhore ka edhe veprimtaria e tij si arkeolog, e cila ndër të tjera ka shërbyer si një këmbanë alarmi për mungesën e dashamirësisë së shprehur nga të huajt, që ndoshta konsideroheshin miq, por që kanë plaçkitur e dëmtuar pasuritë tona kulturore.

Shtjefën Gjeçovi mbetet një hulumtues i palodhur i kulturës sonë popullore, dhe mbi të gjitha ka vlerë të trajtohet edhe kontributi i tij, ndoshta jo fort i njohur në fushën e gjurmimit dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës.I njohur ndryshe edhe si “Më i pari argeolog shqiptar”, kërkimet e para në fushën e arkeologjisë nga një shqiptar në vendin tonë, janë të lidhura me emrin e tij.

Gjeçovi jetoi në kohë të turbullta kur të drejtat e kombit tonë nëpërkëmbeshin, por ai jo vetëm nuk u pajtua me politikën antikombëtare por u rreshtua përkrah popullit, dukë vënë në interes të tij të gjithë veprimtarinë patriotikë e shkencore që zotëronte. Kjo vendimmarrje ishte shkaku që e ekspozoi ndaj një sërë kërcënimesh dhe dënimesh, të cilat kulmuan me vrasjen e tij në 14 Tetor 1929.Në fakt, të bën përshtypje logjika e tij skeptike, e formësuar ndoshta edhe nga vetë rrethanat historike gjatë të cilavë lëvroi aktivitetin e tij. Ndoshta me të drejtë ai ishtë kundërshtar ndaj konçensioneve arkeologjike të të huajve sepse sipas tij, asnjë i huaj, qoftë edhe dashamirës nuk mund ta trajtonte me vërtetësi dhe në mënyrë të plotë historinë dhe kulturën e të parëve tanë.

Shtjefën Gjeçovi punoi në drejtim të krijimit të një arkivi historik dhe një muzeu arkeologjik, duke u ofruar personalisht në gjurmimin e monumenteve , për të vërtetuar se populli ynë është një nga më të vjetrit në Ballkan dhe Europë, pasardhës i Ilirëve dhe autokton, jo i ardhur në trojet e veta.

Në disa artikuj ta pabotuar, Gjeçovi tregon mbi shqetësimin për fatin e visareve të mbledhura në vëndin tonë . Më tej siç cilëson në një material të publikuar dekada më parë eksperti I fushës Stilian Adhami , At Shtjefën Gjeçovi veç shumë zonave ku udhëtoi e hulumtoi, e drejtoi gishtin posaçërisht tek fusha e Shtoit shumë afër Shkodrës si një ndër qendrat më të pasura me kulturë material. Nga krahu tjeter referuar këtij fakti ai indinjohet me shtetin shqiptar të asaj kohe që këtë truall ia kishte lëshuar me qira të huajve, që mund të përfitonin duke përvetësuar gjithçka mundeshin.

Të shkakton keqardhje të madhe përshkrimi që Gjeçovi i bën Apollonisë, një ndër sitet kulturore krenari e ditëve tona. “Në tri vjet e tekndej a ba gropa-gropa, visare të vjetra të sajë janë bajtë ndër vende të huaja me qerre e vagona”, shprehet Gjeçovi. Por mesa duket sipas dëshmisë së Gjeçovit të njëjtin fat kanë pasur Durrësi, Tirana, Kruja, Shkodra, Lezha etj . Flitet për qindra objekte të cilat janë marrë nga këto site arkeologjike e sot ndodhen te ekspozuara muzeumeve europiane.

Në përpjekje të tij për të zgjuar ndërgjegjen dhe vigjilencën ndaj përpjekjeve për të mos cëbuar monumentet, Gjecovi kërkon të tërheqë vëmendjen e bashkëatdhetarëve kur shprehet për pasuritë e mëdha historike “ nuk mund të bëjë njeriu dy hapa pa i ndeshë syri e këmba… në të metuna të motnueshme (sende të moçme) dhe jo vetëm në disa krahina po në tërë Shqipërinë sa është e gjerë dhe e gjatë”. Profesorë e autorë të nderuar si Buda, Adhami, Cetta, Kamsi, Zojsi, Krasniqi janë vetëm pak ndër ata që kanë vlerësuar punën e bërë nga At Shtjefën Gjeçovi. Pa lënë mënjanë nderimin që I bënë Fishta, Konica, Noli, Xhuvali e mjaft patriotë bashkëkohës të tij.

Në shkrim janë përdorur edhe të dhëna nga botimi : Shtjefën Gjeçovi , një ndër pionerët e mbrojtjes dhe gjurmimit të monumenteve me autor Stilian Adhami. 

/Blitz.al/

Shperndaje