Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Arkeologu francez që donte Shqipërinë” – nga Marin Mema

“Arkeologu francez që donte Shqipërinë” – nga Marin Mema
June 20
14:25 2018

Nga: Marin Mema

Në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, diku në vitin 1923, në Shqipëri mbërriti arkeologu i famshëm francez Leon Rey. Edhe pse i arsimuar dhe një ekspert në fushën e tij, fillimisht ai e pati të vështirë të orientohej në territorin shqiptar, që për të ishte i panjohur. Kërkimet e para i vendosi në bazat e hedhura nga arkeologu tjetër francez L. Hezey. Lokalizimi i Epidamnusit ishte një ndër sfidat e para, por padyshim misionit francez i njihet suksesi i shpluhurosjes se Apollonisë, kësaj qëndre madhështore të botës së lashtë.

Për plot 14 vjet Leon Rey punoi në këtë vend, i cili edhe pse kishte marrë më parë vëmendjen e arkeologëve L. Heuzeu apo Kamillo Prashniker, ende qëndronte praktikisht i panjohur. Qëndra monumentale doli në dritë si pasojë e këtyre kërkimeve, të cilat siç theksojnë ekspertët shqiptarë ishin të një niveli të lartë. Zbulimet në botën shqiptare u bënë të njohura përmes publikimit të tyre në revistën “Albania” që e solli gjithçka në mënyrë të detajuar dhe shkencore. Gjetjet u ekspozuan në qytetin e Vlorës në atë që në 1912 kishte shërbyer si shtëpia ku u shpall pavarësia. Kjo ishte edhe një mënyrë për të treguar se koha kur objektet arkeologjike trafikoheshin kishte përfunduar. Shteti shqiptar financoi këtë projekt, të realizuar nga Kryetari i Bashkisë së kohës në Vlorë, Ali Asllani.

Siç thekson arkeologia Etleva Nallbani e cila i ka dedikuar një shkrim të hollsishëm shkencor veprimtarisë së Leon Rey, ky i fundit ndërmori edhe inisiativa të tjera me karakter etnografik dhe kulturor në zona të ndryshme të Shqipërisë. Për më tepër ai mendoi edhe të promovonte lashtësinë shqiptare, identitetin e hershëm të këtij vendi të vogël në muzeumet franceze, edhe pse për një sërë arsyesh që lidheshin me ngjarjet historike që rrodhën, nuk ja arriti. Ai la një dokumentacion të gjerë për punën që kreu, por edhe fotografi, punime shkencore e detaje të tjera mjaft të vlefshme. Misioni francez nuk mundi me të rikthehet pas ardhjes në fuqi të sistemit komunist. Sipas të dhënave Leon Reu bëri disa kërkesa të tilla, por ato nuk u pranuan.

Sipas arkeologes Nallbani mëse 76 dosje dokumentash, 14 kuti me fotografi dhe 130 negativ mbi qelq janë vënë në dispozicionin nga familja Rey. Veç tyre është i shumtë edhe dokumentacioni përkatës i depozituar në arkivat franceze që përbën një vlerë të shtuar për punën e këtij arkeologu në Shqipëri. Leon Rey ishte ndoshta i pari arkeolog i huaj që ndryshe nga të mëhershmit nuk përvetësoi objekte të nëntokës shqiptare, bile shpesh herë ai ofroi edhe para për trafikantë të ndryshëm duke u marrë objektet e duke i vendosur në koleksionin publik.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje