Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Analfabeti”  i veshur me këpucë intelektuali

“Analfabeti”  i veshur me këpucë intelektuali
June 13
10:02 2017

Nga Albjona Rrapaj
Në fitore të një “pse”-je të paqartë, shoh dikë me buzëqeshje, që nuk e deshifroj dot është reale apo nënqeshje! Kurioziteti njerëzor më shtyn për më tej. Më çon në vëzhgim më të imtësishëm, ku interpretimi i elementeve bëhet gjithnjë e më i qartë apo konfuz.

Konfuzioni! Mbase kjo është qartësia. Ajo buzëqeshja ka veshur këpucë firme e gjestet në fytyrë i ka prej triumfatori.

Sa joshëse! Mendoj se dija dhe të nxënit gjatë gjithë jetës e paskan bërë fitues.

Eeeehhhhh…

Në formësimin tënd jetësor – i them vetes, të tha jot ëmë: “Studio për 10!”

Ti? Ti çfarë bëre?

Në fakt e realizove. Atëherë?

Nuk kuptoj pse vetja ime nuk e ka buzëqeshjen e këtij “intelektuali”. Nuk e kuptoj edhe pse nuk kam ato këpucët firmato në këmbët e mia. E dëgjoj teksa ligjëron…

Gjatë fjalimit… UPS!

Fjalë të pakuptimta, fjali të shtrembëruara, entuziazëm i tepruar, mërmëritje të shpeshta.

Ah, e kuptova!

Qenka ky për të cilin kam menduar e dëgjuar.

“Analfabeti” me këpucët e intelektualit. Pa prit! Pavetëdija më sinjalizon të stopoj në përfundime.

E përsërita sërish: “Analfabeti” me këpucët  e intelektualit!

Intelektuali! Ndoshta e kam të paqartë këtë koncept. Në vizionin tim intelektuali është individi i mirëshkolluar, i mirëlexuar, i miredukuar  etj. etj.

Pyes sërish veten?

Vetëm këto elemente ndriçojnë nën dritën e këtij koncepti?

Menjëherë m’u kujtua një shprehje e Sartrit të madh:

Nëse ekzistenca vërtet paraprin esencën, atëherë njeriu është përgjegjës për atë ç’ka ai është.

Përpara m’u shfaq një tjetër koncept. Koncepti që i fshihemi nga pak të gjithë, koncepti që nxjerr në pah dobësitë tona, koncepti që na paralajmëron për reagim.

Përgjegjësia.

Ky qenka problem i individëve të pakënaqur  në shoqërinë sot (ku ndoshta përfshihem dhe unë), jo ky pseudo-intelektuali.

Konceptet e interpretuara gabim na çojnë mbase në zgjidhjet dhe zgjedhjet jo të duhura. Në jetë skemat tona fikse, të fituara qysh prej fëmijërisë së hershme, formësojnë te ne paragjykimin e jo gjykimin kritik. Mendojmë se ne meritojmë të jemi fitimtarët, duhet të jemi ne në vendin e tjetrit, duhet të jemi ne të pushtetshmit, duhet t’i kemi ne ato këpucët firmato.

Përgjigjja që i kthej vetes sepse ne?

Se paskemi ecur në më të mirën rrugë të diktuar. E cila na qenka më e mira? Ajo që unë njoh!

Njohja është vështirësia aq e madhe e vetëdijes, sa më tepër se njohje tingëllon si mosnjohje.

E pra, e dashur vete, papritmas shprehja e Sartrit mori një kuptim:

Asgjë nuk justifikon atë që je!

Si të duket? Përderisa këpucët e firmës i ka veshur “analfabeti”, ndoshta, po të  them ndoshta dhe i meriton… /Blitz.al/

Shperndaje