Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Akademia e Shkencave memece…

Akademia e Shkencave memece…
December 11
15:06 2016

Nga Marin Mema

Sanxhaku i Pazarit të Ri sot nën Serbi është një ndër krahinat për të cilat flitet më pak në qarqet zyrtare në Shqipëri.  Edhe pse zyrtarisht shqiptarët atje nuk ekzistojnë, kjo nuk do të thotë se janë zhdukur. Në fakt, shqiptarët e Sanxhakut kanë kaluar përmes një procesi të egër asimilimi dhe përzierje me popullsi boshnjake. Kjo ka qenë e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar dhunës sllave, sidomos pas krijimit të shtetit jugosllav, ku zgjidhjet e vetme ishin largimi apo fshehja nën petkun e një etnie tjetër.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shqiptarët humbën rrënjët. Edhe sot ka shumë të tillë që janë të qartë për identitetin e tyre të vërtetë. Në shtëpitë e tyre gjen fotografitë e të parëve me plisa e me veshje tradicionale shqiptare, të cilat ata i ruajnë ende si gjënë më të shenjtë. Ata flasin një formë arkaike të gjuhës shqipe, që e kanë ruajtur me vështirësi brez pas brezi, në kushtet kur shkolla shqipe, përveçse për pak kohë në vitet ’41, nuk ka pasur.  Traditat i kanë të gjitha shqiptare, një pjesë e mirë mes tyre paraqiten e njihen si të tillë, edhe pse zyrtarisht janë deklaruar si boshnjakë.

Por a mund dhe a duhet të mjaftojë ky deklarim i kushtëzuar nga historia që ne të harrojmë këtë komunitet? Mjafton të përmendet fakti se në Sanxhakun e Pazarit të Ri jetojnë më se 400 mijë banorë, nga të cilët edhe sot shumica (edhe pse jo zyrtare) janë shqiptarë. Fshatra si Bashica, Ugëlli, Boroshtica e shumë të tjerë janë rasti më konkret se si shqiptarët kërkojnë të jenë të tillë, por që sigurisht nuk mund ta bëjnë nëse askush nuk i mbështet.

Shqiptarë të shumtë ka edhe në fshatrat Arapoviç, Aliveroviç, Tuçillovë, Gllogovik, Rashkoviç e me radhë e po ashtu në Sjenica, Tutin, Pazar të Ri etj. Sigurisht, shumica nuk kanë mundur ta ruajë gjuhën, por nëse flet me ta e pranojnë se rrënjët i kanë qartazi shqiptare.  Ka edhe qendra të tjera ku banorët nuk e pranojnë të shkuarën e tyre, por kjo është e kuptueshme, sa kohë rizgjimi vjen përmes garantimit të sigurisë e mbështetjes. Nuk mund e nuk duhet të presim që këta njerëz që kanë jetuar nën represion të egër e masakrues të ngrihen një ditë e të këlthasin gjakun e tyre. Duhet të jemi ne ata që përmes Akademisë së Shkencave duhet të hartojmë projekte afatgjata për rikuperimin e këtij komuniteti.

Për fat të keq nuk dihet pse heshtja pason të vërtetat e Sanxhakut në Serbi , askush nuk reagon, askush nuk ndërmerr një hap të mëtejshëm, aq më pak të zhvillojë një projekt serioz.  Sanxhaku në Serbi është vetëm një rast, sepse nëse i shton edhe trevat shqiptare në Mal të Zi, të cilat sot e kësaj dite po vazhdojnë të asimilohen, e po ashtu shqiptarët në Maqedoni, Turqi apo Greqi, Kroaci, Bosnje, Bullgari etj. është e vështirë të kuptosh se me çfarë merren në të vërtetë institucionet tona shkencore? Nëse nuk hartohen teza për ruajtjen e këtyre shqiptarëve, për forcimin e komuniteteve, për shkundjen identitare, për rifreskimin e historisë e momenteve kyçe të saj, nëse nuk bëhet asgjë për shqiptarët, pse na duhet Akademia?

Si mundet që këto institucione në vendet fqinje (edhe atje ku historia manipulohet në mënyrë qesharake) të jenë në mënyrë të vazhdueshme shumë më të fortë sesa institucioni ynë? Të tjerët shkruajnë fjalorë, botojnë libra të pafundmë, organizojnë aktivitete me historianë e studiues europianë për të manipuluar opinionin ndërkombëtar, ndërsa ne rrimë e vështrojmë se si historia bëhet në dëm të interesave tona. Një gjë është e sigurt: ky qëndrim pasiv nuk lidhet vetëm me fondet në dispozicion, por me një mungesë dëshire për të mos prishur rehatinë, për të mos hyrë në debate, për të mos u përplasur e për të vazhduar ngrohjen afatgjatë të karrigeve.

Është momenti që Akademia e Shkencave të përmendet nga përgjumja e të rinisë punën e saj të domosdoshme, ndryshe është e kotë të quhet më e tillë. Le t’i gjejnë diçka tjetër, por mos ta quajnë më institucion shkencor. /Blitz.al/

Shperndaje