Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

8 marsi – Festë, protestë apo “s’ma ndjen fare”? (nga Aulona Musta)

8 marsi – Festë, protestë apo “s’ma ndjen fare”? (nga Aulona Musta)
March 08
14:24 2019

Të them të drejtën, nuk isha e bindur nëse duhet ta bëja këtë shkrim sot, për 8 mars. Kjo për faktin që prej disa kohësh, gjithçka që bëhet e thuhet në lidhje me këtë datë, ka filluar më duket tejet patetike. Dikur, në rininë time kam bërë dhe unë shkrime të tilla, fillimisht me pathos shkruaja kundër festimeve. 8 marsi është protestë, jo festë.

Ishte koha kur mendoja se një shkrim apo një individ mund të ndryshonte botën. Ishte koha kur mendoja se gratë nuk kishin arsye për të festuar se duhet të luftonin “dhunshëm” për të fituar të drejtat e tyre.
Vitet kaluan, unë u rrita e me rritjen erdhi dhe pjekja e formimi më i plotë si individ. Fillova të kuptoj që kjo përpjekja jonë për t’i diktuar me “dhunë” grave se çfarë duhet të bëjnë për 8 marsin, është në vetvete një nga shumë format e dhunës me të cilat shumë gra përballen çdo ditë të jetës së tyre. Në këtë përpjkejen tonë, edhe pse dashamirëse për t’i treguar e bërë të kuptojnë se nuk kanë asnjë arsye për të festuar, kur në të vërtetë gjithçka ato duan të bëjnë në këtë ditë është të festojnë, sërish mbetet një formë “dhune”, e cila ëdhe pse e bërë për një qëllim të mirë në parim, mbetet sërish e tillë. Mbase për shumë nga ju do të duket një paralelizëm i pavend ky që do të bëj tani, por a nuk justifikohet dhuna në shoqërinë tonë, me një shprehje totalisht idiote si “ai që të rreh të do”? E pra, a nuk do të vlente e njëjta gjë për shprehjen “ai/ajo që të ndalon të festosh 8 marsin, e bën sepse të do”? Në të vërtetë, ai që të do të lë gjithmonë të lirë të bësh zgjedhjet që ti do!

Shumë vite më pas kuptova që pavarisht gjithckaje që themi dhe bëjmë 8 Marsi, nuk ka asnjë ndryshim nga gjithë festat e tjera komerciale, të cilat kanë një datë të caktuar për të thënë e shkruar disa fjalë të bukura, për të shitur disa dhurata, për të fituara disa para, e për të bërë pak figurë të mirë në publik, kështu që mendimi im ndryshoi totalisht dhe kalova nga: “Protestoni, mos festoni”, në “Festoni, mos protestoni”, sepse edhe protestat në këtë ditë janë komerciale, njësoj si dhuratat, apo mbrëmjet aq të diskutuara me striptista.

Sot kam ndryshuar sërish mendim. Po, vazhdoj të mendoj që data 8 mars është një datë komerciale, njësoj si 14 shkurti, 14 marsi, 25 dhjetori etj., e për sa kohë është e tillë nuk ka ndonjë ndryshim midis festimeve komerciale apo “protestave” komerciale. Ama sot, si një individ që mendoj se në thelb të gjithë të të drejtave qëndron liria për të thënë e bërë gjërat që do, gruan në 8 mars, ashtu si në çdo
ditë tjetër të vitit, duhet ta lësh të lirë të thotë e të bëjë atë që dëshiron e ndjen. Nëse vërtetë nuk ka mundësi të festojë gjithë vitin dhe e pret me padurim këtë datë për të dalë e për të festuar me mikeshat apo koleget e saj, le ta bëjë. Ajo grua, e cila për 1000 arsye mund të ketë një jetë të mbyllur, të ndrydhur, pa arsye për të festuar, nuk ka nevoje të lexojë e dëgjojë se si ne 8 mars nuk duhet të festojë, sepse s’ka arsye për të festuar.
Thua vallë, nuk e di ajo këtë gjë? Thua vallë ndihet mirë që ne: unë, ti, ajo, i përplasim në fytyrë deri diku edhe me arrogancë, mesazhet tona feministe, se si gratë duhet ta shfrytëzojnë 8 marsin për të dhënë mesazhe të mëdha, për të ndryshuar botën dhe jo duke ngrënë e kërcyer në një X lokal për 2-3 orë, që mbase mund të jenë edhe më të bukurat e gjithë vitit?
Ajo grua do të festojë, sepse mbase për të duhen vërtetë data të caktuara për të pasur një arsye për të festuar. Ajo grua, mbase do të donte shumë të protestonte dhe të jepte mesazhe të mëdha, por nuk e ka mundësinë ta bëjë këtë për shumë arsye. Prandaj ajo grua të thotë ty që ke dëshirë e mbi të gjitha mundësi të protestosh, bëje ti edhe për mua, ama të lutem mos u tall e mos përçmo
dëshirën time për të festuar, sepse në këtë mënyrë, ti shndërrohesh një ndër të shumtët njerëz që në forma të ndryshme, gjatë gjithë vitit i diktojnë se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo.
E njëjta gjë vlen dhe për ato gra të cilat 8 marsin e shohin si datën antifestë, si datën që duhet shfrytëzuar për të përçuar mesazhe të mëdha. Bëjeni! Dhe mos u ndrydhni për asnjë moment nga ata që ju tregojnë se këto gjëra bëhen gjatë gjithë vitit, jo vetëm në një datë të caktuar. Pa asnjë dyshim që të bësh diçka është më mirë se sa të mos bësh asgjë.
Ndërkohë, doni të dini se çfarë tjetër mendoj unë sot? Unë mendoj që gratë në vendin tonë nuk kanë nevojë për mesazhe e parrulla të mëdha, të bëra në mënyrë sporadike, me raste festash, fushatash apo periudhash elektorale. Unë mendoj që gratë në këtë vend kanë nevojë për shembuj të përditshëm, të cilët me gjëra të vogla mund të frymëzojnë shumë më shumë, se sa me mesazhe të mëdha, të bëra enkas e me qëllim “për të ndryshuar botën”.

Më vjen keq, por të gjithë e dimë shumë mirë që bota nuk ndryshon kaq kollaj. Aq më shumë “bota e mbyllur” e shumë grave, që vjen si pasojë e një mendjeje të mbyllur, jo vetëm e tyre por e gjithë atyre që e rrethojnë.
Prandaj duhet ta ndjejmë si përgjegjësi unë, e kush si unë ka pasur fatin të lindet e të rritet në një ambient ku liria e mendimit dhe e veprimit është edukuar që në vogëli, që të bëjmë shumë, çdo ditë e nga pak për të gjitha ato që këtë mundësi nuk e kanë pasur.

Gëzuar 8 marsin gra të dashura. Festoni, protestoni apo thjesht e injoroni këtë ditë, është zgjedhja juaj. Ashtu siç duhet të jetë çdo zgjedhje që bëni në çdo ditë të vitit: zgjedhja JUAJ! Jo e shoqërisë, jo e familjes, jo e burrit, e kolegut, e komshiut, e kushëritit, e fëmijës…

Le të fillojmë duke kuptuar, pranuar e zbatuar këtë njëherë dhe pastaj “bota” do të jetë më e lehtë për t’u ndryshuar… /Blitz.al/

Share