Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

105 vjet nga fantazia e sëmurë ekstremiste që përgjaku vitin 1914- nga Marin Mema

105 vjet nga fantazia e sëmurë ekstremiste që përgjaku vitin 1914- nga Marin Mema
March 14
19:40 2019

 

Përse druhemi ndonjëherë ta risjellim historinë? Aq më shumë kur mund të mbështetemi në të vërtetat e saj, të dhëna të faktuara, dokumenta të qarta dhe dëshmi reale.

Historia e Shqipërisë mbart ndër vete vite të lavdishme por edhe të tillë që rikujtohen me dhimbje. 105 vite më parë, pikërisht në 1914 do të shënjohej nisja e një varg ngjarjesh që nuk duhet të mbulohen nga mjegulla e harresës, por përkundrazi duhet të përkujtohen me qëllimin e vetëm që historia të mos përsëritet.

Zanafilla nis në 17 dhjetor 1913 kur nënshkrimi i Protokollit të Firences, si një akt ndërkombëtar do të përcaktonte kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, i cili mbetet me ndryshime të vogla ende në fuqi edhe sot. Mesa duket, për Greqinë këto vendime të marra nga komisioni i posaçëm i ngritur nga gjashtë fuqitë e mëdha që i dhanë Çamërinë, e mjaft territore të tjera të banuara nga shqiptarë, ishin të pamjaftueshme. Ndaj në shkurt të vitit 1914, e ashtuquajtura lëvizje Vorio Epirote, e mbështetur nën rrogoz nga Athina zyrtare, shfaqi haptazi në formë politike dhe ushtarake qëllimet e saj.

Ky plan nisi të konkretizohej mizorisht në vitin 1914 kur trupat andarte greke do të digjnin dhjetra fshatra e qytete të Shqipërisë në zonën e Kolonjës e deri në Leskovik, Korçë, Devoll, Përmet, Këlcyrë, thuajse të gjithë Labërinë, Skrapar, Tomorricë e më tej. Secili prej tyre jo vetëm u shkrumbua, por shumë banorë u vranë ndërsa disa prej fshatrave u zhdukën krejtësisht nga harta. Dëshmitë e ruajtura brez pas brezi nga banorët e këtyre zonave thonë se trupat e njerëzve të pafajshëm, në pjesën më të madhe nuk u gjetën kurrë.

Sipas të dhënave të sjella jo vetëm nga autorë shqiptar, por edhe të huaj, si dhe padyshim nga dëshmitarët e drejtpërdrejtë të vitit të përgjakshëm 1914, nga 190 deri në 250 vendbanime në jug dhe juglindje të vendit u dogjën ndërsa rreth 100 mijë banorë të larguar nga zonat e sulmuara u strehuan në ullishtet e Vlorës.

Shumë histori njerëzore kanë mbetur shpesh të mbyllura apo të patreguara, jo thjesht për shkak të dhunës që ato zbulojnë, por edhe ndrojtjes nga paragjykimet. Brutaliteti i këtyre trupave andarte ka qenë aq i madh sa shumë familje edhe sot e kanë të vështirë të tregojnë të vërtetat e paraardhësve të tyre. Rrëfimet shkojnë përtej çdo imagjinate!

Në këtë 105 vjetor të kësaj masakre kjo histori duhet rikujtuar, jo për të ngjallur përplasje apo urrejtje, por thjesht respekt e përkujtim për ata mijëra njerëz të pafajshëm që u masakruan në emër të një fantazie të sëmurë ekstremiste që mban emrin Vorio Epir./Blitz.al/

Share