Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Botuesja Berhami: Meshkujt shqiptarë nuk lexojnë. Libri shitet më pak

Botuesja Berhami: Meshkujt shqiptarë nuk lexojnë. Libri shitet më pak
November 16
10:52 2016

Panairi i Librit 2016 u mbyll 2 ditë më parë. Ndërkohë dje Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka publikuar të dhënat e para të shitjeve përgjatë panairit, me titujt më të preferuar nga lexuesi dhe numrin përkatës të kopjeve të shitura në panair.

Blitz.al zhvilloi një intervistë me znj. Loreta Berhami, nga shtëpia botuese “PEGI”, për të marrë përshtypjet e para mbi panairin, shitjet në të, zhanret më të preferuara dhe situatën ku ndodhet libri sot në Shqipëri.

Znj. Berhami, cili është perceptimi i parë për Panairin e Librit 2016 që sapo përfundoi? A ka ndonjë ndryshim me vitet e kaluara?

-Ishte një panair që nga fundi pati më tepër interes nga publiku. Dy ditët e fundit fluksi ishte shumë më i lartë se ditët e para.  Pra kishte më shumë njerëz në fundjavë e ndoshta ndikoi moti i keq në ditët e para ose ditët e punës e fundjava është më e lirë. E mërkura kishte rënie. E shtuna dhe e diela kishin rritje në krahasim me një vit më parë.

Shoqata e Botuesve bëri me dije librat më të shitur të panairit. Ajo që vihet re në pamje të parë është një ulje e shitjeve në krahasim me vitet e kaluara, kur libri i parë shitej shumë më tepër, ndërkohë këtë vit vetëm 4 mijë kopje. Kush e ka sjellë këtë gjendje? Si e shpjegoni ju?

-Vitin e kaluar ka qenë Blushi në krye të shitjeve dhe ka qenë diku në 8 mijë kopje. Por si numër shitjesh ka qenë pak a shumë i njëjtë. Madje në total panairi i ri doli me rritje në krahasim me vitin e kaluar. Por po të krahasojmë muaj për muaj përgjatë vitit ka pasur rënie dhe këtu ka ndikuar kriza ekonomike që ka prekur çdo sektor të shoqërisë e libri nuk ka bërë përjashtim.

Ku ndodhet sot situata e librit në Shqipëri? A lexohet dhe nëse po, cili preferohet më tepër, printi apo versioni online?

-15 % deri në 20% ka pasur rënie në krahasim me një vit më parë. Ajo që dimë është se ka pasur librari që janë mbyllur sepse kanë shitur më pak. Ka qenë vit i vështirë për bizneset e kjo ka përfshirë edhe situatën e librit. Nuk di të them cili lexohet më tepër printi apo versioni online, por vlera e printit nuk humbet kurrë.

Cilat janë zhanret letrare më të preferuara nga publiku sot?

-Romani, romancat preferohen gjerësisht, dhe ka interes për trillerat. Femrat në moshën 30 e lart deri në 60 vjeç. Ka një interes edhe nga të rinjtë.

Ndërkohë që meshkujt lexojnë shumë pak.  Dhe po ta shohësh me titujt që sillen të përkthyer, shumica tyre flasin për femrën.

Pse ndodh kjo? Fakti që shkruhet apo flitet për femrën shet më shumë? Shkrimtarët u janë përshtatur shijeve të lexuesit?

-Kjo ndodh sepse ato blejnë më shumë. Botuesit i janë përshtatur tregut më tepër sesa shkrimtarët. Ne jemi filtri i gjithçkaje në botë. Dhe nëse një titull ka trend për t’u lexuar dhe preferohet nga publiku, kalon në orbitën tonë. E kam të vështirë të prodhoj trillera të zinj, sepse është shumë e vështirë të shitet në Shqipëri, gjithmonë duke pasur parasysh shijet.

Libri “Mikesha gjeniale” i Elena Ferrantes nga botimet “PEGI” ndodhej në vend të katërt nga shitjet. Mendoni se i ka arritur pritshmëritë deri tani?

elena

-I kemi tejkaluar pritshmëritë për shitjet e tij. Ka qenë surprizë vërtet shumë pozitive. Shpresoj që shitjet të vijojnë edhe pas panairit. Pati një lloj zhurme para panairit rreth titullit dhe shumë pak veta e kanë lexuar deri tani. Unë tashmë po marr feedback-un e parë nga lexuesit që e kanë përfunduar leximin e tij dhe fjalët e tyre janë tepër pozitive për këtë libër, si edhe libra të tjerë që ne kemi botuar këtë vit.    /Blitz.al/

Komento
Shperndaje