Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Blendi Fevziu: “Pushteti”, ndjesi e akumuluar gjatë 27 viteve

(Intervistë) Blendi Fevziu: “Pushteti”, ndjesi e akumuluar gjatë 27 viteve
November 18
16:53 2016

Nga Suada Daci

Libri i radhës i gazetarit Blendi Fevziu, “Pushteti”, ishte një nga librat më të shitur të Panairit të Librit 2016. Shoqata e Botuesve ka publikuar pak ditë pas mbylljes së këtij aktiviteti titujt e librave më të shitur dhe i dyti në listë ka qenë pikërisht botimi më i ri i moderatorit të “Opinion”, Blendi Fevziu. Ndonëse nuk i ka parë statistikat, Fevziu tregon në një intervistë për Blitz.al se ky është një fakt normal për një njeri që del përnatë në televizion. Ndërsa për sa i përket “pushtetit”, raportet e politikanëve dhe vetë Fevziut me të, përgjigjet i zbulojmë në intervistën e mëposhtme:

Z.Fevziu, jeni renditur në top pesëshen e librave më të shitur të panairit, si ju bën të ndiheni ky fakt?

-Nuk e di, sepse nuk i kam parë statistikat, por besoj se kjo është normale për dikë që del përnatë në televizion. Ka të bëjë më shumë me popullaritetin si gazetar sesa me librin besoj. Libri nis pasi është blerë. Atëherë fillon reagimi i njerëzve.

A është “Pushteti” një nga librat tuaj më të shitur apo gjithnjë botimet tuaja preferohen nga publiku?

-Sipas informacioneve të UET Press. libri ka shitur afro 5000 kopje. Por librat e tjerë kanë shitur edhe më shumë. Por për “Pushtetin” është herët se ka vetëm 9 ditë në treg. Libri ka nevojë për një xhiro 3-vjeçare që të bëhen konkluzionet.

Keni qenë një nga autorët që keni firmosur shumë autografe gjatë këtij panairi. A është ndjesi e bukur kur sheh që njerëzit mbajnë radhë për të blerë librin tuaj dhe për të pasur, pse jo, edhe autografin tuaj?

-Po, është gjithnjë kënaqësi. Ndër ato kënaqësi që nuk paguhen dot.

 Ju vetë e shijuat panairin si lexues, pasi di që keni një marrëdhënie shumë të mirë me librin?

-Nuk pata shumë mundësi sepse qëndrova në stendën e UET. Por unë marr informacion për pothuajse të gjitha botimet e rëndësishme që vijnë në shqip. Kam raporte miqësore me shumë botues dhe ata më thonë për titujt që do të dalin dhe shumë herë m’i dërgojnë librat përpara.

 Cili ishte libri që ju pëlqeu më shumë?

-“Kryeministri” i Blushit ishte mjaft interesant. Por besoj që libri që më impresionoi më shumë ishte “Esat Pasha” i Ilir Ikonomit. Libër i shkruar shumë mirë dhe me shumë seriozitet.

Le të rikthehemi pak te “Pushteti”. Pse vendosët të risillnit një ese letrare, spunton e së cilës e keni marrë 27 vite më parë?

-Nuk e di. Njeriu nuk u gjen gjithnjë shpjegim shtysave dhe ndjesive të veta. Kjo është pjesa më e errët e krijimit, por edhe e qenies njerëzore në përgjithësi. 27 vjet më parë ai ishte një tregim naiv, që tentonte të sillte në vëmendje historinë e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Sot ai është një roman, që ka brenda tij gjithë idetë dhe tezat e mia për pushtetin. Gjithë njohuritë dhe ndjesitë që unë kam pasur për të në këto 27 vite.

Ngjarjet zhvillohen në Perandorinë Osmane, por a ka ngjashmëri mes asaj periudhe dhe kësaj që po jetojmë sot?

-Nuk ka ngjashmëri historike, por ka ngjashmëri të mënyrës se si funksionon pushteti dhe raporti që njerëzit ndërtojnë me të. Natyrisht, ai është një model pushteti në sisteme autoritariste, por magjepsja dhe tundimi i pushtetit është i njëjtë.

Pushteti, ashtu si çdo gjë tjetër në jetë, nuk është i përjetshëm, por në këndvështrimin tim mënyra se si e përdor atë është shumë e rëndësishme. Në këtë kontekst, si është raporti i Blendi Fevziut me pushtetin?

-Unë nuk kam lidhje me pushtetin. Këtu ka një ngatërresë. Unë mund të kem pjesën time të ndikimit në shoqëri përmes emisionit ose punës si gazetar. Ky është një lloj pushteti. Por nuk është ai pushteti klasik për të cilin unë flas në libër.

 A e ndjeni ju veten njeri të pushtetshëm?

-Jo!

Po politikanët shqiptarë, në gjykimin tuaj, si e përdorin pushtetin?

-Shumica besojnë se kanë më shumë pushtet sesa realisht menaxhojnë. Pushteti i tundon pamasë dhe kryesisht e konceptojnë sipas modelit të sistemeve totalitariste. Por janë në një kohë dhe sistem tjetër dhe kjo i vendos në një kontradiktë të fortë. Ndaj bien shpesh viktimë e tij.

 A keni njohur njerëz të cilët e kanë humbur pushtetin dhe si e kanë përjetuar ata këtë fakt?

-Shumë prej tyre nuk e besojnë. Hutohen. Nuk arrijnë të kuptojnë që pushteti nuk është autoritet personal, por fuqi e përkohshme falë rrethanave dhe pozicionit politik. Kur e kuptojnë që e kanë humbur është vonë dhe kjo u kthehet në një dramë.

Pak kohë na ndan nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Mendon se pushteti do t’i mbetet maxhorancës apo do të kemi një rotacion politik në Shqipëri?

-Nëse këtë do ta vendosja unë s’do të kishim zgjedhje. Është ende herët për këtë diskutim.

 20 vjet “Opinion”, ka menduar Fevziu diçka speciale për këtë përvjetor të programit? 

-Besoj se po!

A ia keni ushqyer vajzës tuaj të madhe (Mishel) dashurinë për librin?

-Raporti me librin është raport personal. Nuk besoj se as ushqehet dhe as trashëgohet. Për momentin ka raporte të mira me librin.

 Për të voglën tuaj (Alis) është herët të flasim për librat pasi pak kohë më parë festoi 1-vjetorin e lindjes, a e ka ndryshuar ajo jetën tuaj?

-Më besoni, krejtësisht! /Blitz.al

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje