Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Intervistë/ Nazmija, 70 vjeçarja që na tregon se e bukura dhe stili nuk kanë moshë

Intervistë/ Nazmija, 70 vjeçarja që na tregon se e bukura dhe stili nuk kanë moshë
October 10
18:00 2018

Duket sikur tashmë njerëz që vishen bukur i kemi kudo. Por stili dhe e bukura në fakt janë më shumë se thjesht një kombinim i duhur i veshjeve të shtrenjta. Me shumë elegancë dhe klas, është pikërisht Nazmije Nano që do na tregojë për historinë e saj në këtë intervistë për Blitz.al.  Ajo është një shembull sesi dhe njerëzit e jetës së përditshme mund të na inspirojnë.

Për të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë, si do e prezantonit veten, kush jeni ju?

Unë jam një zonjë 70-vjeçare që e do jetën me gjithçka që ajo ofron, që do të mirën sigurisht, por edhe jo të mirën për vetë faktin se kjo e fundit na ndihmon t’i tregojmë vetes sa të aftë jemi të përballojmë jetën edhe kur nuk është e bukur.

Na tregoni pak për historinë e jetës suaj dhe kur ka nisur lidhja juaj me të bukurën e të veshurit stil?

Kam filluar të qep në makinë qepëse nga nevoja, në moshën 21 vjeç. Me kalimin e viteve kuptova që e dashuroja këtë profesion, edhe pse isha e detyruar të përdorja vetëm pak ngjyra e modele. Në atë kohë punoja në fshehtësi. Punët private dënoheshin në fakt dhe jo në pak raste e gdhija për të qepur diçka të bukur, por edhe brenda formatit të lejuar. Punoja shumë me paja nusesh dhe më pëlqente të bëja kombinime nga më të ndryshmet për gra, vajza e fëmijë. Kjo situatë vazhdoi deri në vitet ’90, kur më pas ju nënshtrova një operacioni laringu e për pasojë, mbeta pa zë. Ka qenë një periudhë e tmerrshme, një luftë për jetë a vdekje, por besoj që pata fat. Pavarësisht asaj që kalova, lidhja me të bukurën mbeti po aq e gjallë.

Si do e përkufizonit jetën dhe stilin tuaj me një fjalë?

E bukur.

A ka ndikuar të veshurit mirë në aspektet e tjera të jetës suaj?

Po patjetër. Mbi të gjitha ka ndikuar në gjendjen time emocionale. Shpesh herë vërej që kur kaloj kthejnë kokën, u bën përshtypje sa ndonjëherë i them vetes: “mos jam ekzagjeruar sot?”. Por marr komplimente pafund. Edhe kur më dëgjojnë që flas me atë zërin e ulët, shpesh më thonë: “zonjë e dashur, ty të flet fytyra e qeshur dhe pamja”. Kënaqem sinqerisht.

Si keni arritur ta ruani këtë kujdes ndaj vetes edhe pse vitet kalojnë?

Kujdesi për vetën ka të bëjë me dëshirën që ke për ta jetuar jetën. Kjo gjë kërkon kohën e saj, gjë që mua s’më mungon. Kam kujdes në përdorimin e aksesorëve dhe kombinimin e tyre, pasi detajet bëjnë shpesh diferencën. Informohem nga televizioni, spektaklet e ndryshme, rrjetet sociale apo revistat. Lexoj libra të rinj, shkoj edhe në aktivitete kulturore me shoqërinë. Pra, “update”-ohem… (qesh)

Cili është ndryshimi më i madh që shihni nga rinia juaj me rininë që po rritet tani?

Vë re që sot ka më shumë mundësi zgjedhjeje, por njerëzit janë drejtuar më shumë drejt praktikes. Njerëzit nxitojnë në punë, në aktivitetet e tyre të përditshme dhe mendoj se zgjedhjet i bëjnë në funksion të asaj çka bëjnë. E në fakt, të vishesh bukur e me stil kërkon gjithmonë kohë, vëmendje e para njëkohësisht. Nuk e di se cila nga këto i mungon.

Më mirë të kesh apo të dish?

Pyetja 1 milion dollarëshe… Mendimi im është më mirë të dish. Kam bërë veshje shumë të bukura dhe në kohën kur nuk kisha aq shumë sa sot.

Cili është mesazhi që do donit t’i përcillnit atyre që po e lexojnë, të rinj e të moshuar?

Një veshje e bukur të përfaqëson kudo, por e shoqëruar me një buzëqeshje dhe fjalë të mençura ajo bëhet akoma më e sofistikuar. Rezultati? Happy women!

/Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje