Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Kjo është Rea, blogerja e veçantë që ushqen dashurinë për librat

(Intervistë) Kjo është Rea, blogerja e veçantë që ushqen dashurinë për librat
November 09
18:39 2018

Të paturit një blog tashmë është kthyer në një mënyrë komunikimi të mirëfilltë me të tjerët. Edhe në Shqipëri, mes blogjeve të modës apo kulinarisë, gjejmë edhe “Një tufë rrezesh nëpër RE”. Ky është pikërisht blogu i veçantë i Reas, e cila ka zgjedhur të shpërndajë me ne të gjithë pasionin e saj për librat, letërsinë dhe të shkruarin. Pse librat, si ka nisur kjo lidhje kaq e fortë mes tyre dhe Reas, cilat janë sugjerimet e saj… dhe shumë të tjera i gjeni në intervistën e saj për Blitz.al.

 

Rea e librave, përshkruajeni veten me një fjali.

Përfytyroni një vajzë me një mal me ëndrra në kokë, një tufë me libra në duar dhe këmbëngulëse për çdo pikësynim.

Si ka qenë fëmijëria juaj dhe cili ka qenë libri i parë që mbani mend të keni lexuar?

Vegjëlia ime ka qenë e gjitha e mbushur me lodra të këndshme, libra, historitë e jashtëzakonshme të gjyshërve dhe dashurinë e pakufijtë të të afërmve. Libri i parë që kujtoj si të preferuarin tim ka qenë me përralla, nga i cili gjithmonë veçoja “Tre derrkucët”. Leximet e shumta më bënin që t’i memorizoja të gjithë librat me përralla përmendësh dhe dashuria ime “e ekzagjeruar” për librat që në moshën 4 vjeçare nisi t’i “shqetësonte” prindërit e mi. Ata u munduan disi të kufizonin kohën time në shoqërinë e librave, por hoqën dorë shpejt dhe kuptuan që “përgjegjës” për këtë dashuri të madhe ishin vetë ata, me shembullin e tyre të mirë.

Pse jo një darkë apo një natë në club, por një lexim libri në shtëpi?

Unë nuk e pëlqej zhurmën dhe rrëmujën, përveç rrëmujës së pirgut të librave. E konsideroj veten si një njeri tepër të lidhur me ambientin familjar, me natyrën, shtëpinë, artin dhe kreativitetin. Gjithashtu mendoj se koha është dhurata më e bukur që na fal jeta dhe mundohem ta shfrytëzoj në të mirën time që e gjej te librat dhe orët e gjata kushtuar studimeve.

E veçanta dhe e përbashkëta e librave online dhe atyre të zakonshëm?

Kam provuar të lexoj në internet dhe nuk mund të them se është një aktivitet që më përmbush emocionalisht, pavarësisht se e shfrytëzoj çdo ditë teksa shkoj në shkollë. Unë e admiroj gjithë procesin e leximit, shfletimin e librit, aromën e pakonkurrueshme të fletëve të tij, ndjesinë e veçantë kur në duar mban një kryevepër dhe në përgjithësi, gjithë atmosferën që krijohet teksa lexon, në gjysmëdritë dhe në ambjentin personal. Leximi është tepër intim dhe akoma teknologjia nuk mundet të ta fali këtë kënaqësi.

Të paturit një blog: si ju lindi ideja?

Ideja për të pasur një blog, i cili i kushtohet tërësisht botës së letrave, librave, letërsisë dhe dashurisë sime për të shkruarit ka lindur vite më parë, kur isha rreth 16 vjeç. Duke pasur parasysh se miqtë dhe të afërmit më kërkonin gjithnjë sugjerime në lidhje me librat dhe letërsinë, mendova që këto informacione mos të kufizohen vetëm në rrethin tim të ngushtë. Kështu, një vit më parë lindi “Një tufë rrezesh nëpër RE”.

Emri i blogut “Një tufë rrezesh nëpër re” është shumë i veçantë, por cili është kuptimi i tij?

Emri i blogut ka lindur në një ditë, kur nuk ndihesha mirë emocionalisht, por frymëzimi më kishte kapluar të tërën. Mes një ngatërrese të vogël mendimesh nuk më shqitej nga mendja kjo frazë. Kuptimi i emrit mund të interpretohet në disa këndvështrime. Së pari, realiteti i hidhur tregon se të rinjtë lexojnë pak dhe kjo është tepër e trishtë, kështu blogu kërkon t’i sjellë pakëz dritë diturie kësaj reje të errët dembelizmi. Së dyti, përditshmëria jonë jo rrallë herë është e pushtuar prej monotonisë dhe blogu shërben pikërisht për të përçuar një frymëmarrje diellore në jëtët tona.

Si janë lexuesit shqiptarë, çfarë preferojnë më shumë?

Përshtypja ime për lexuesit shqiptarë ka ndryshuar që pas krijimit të blogut.Unë kam vënë re një ndarje të thjeshtë. Janë ata lexuesit e vërtetë,tepër të informuar, të cilët kërkojnë letërsinë e mirë, hulumtojnë për përkthimin e përshtatshëm dhe janë të dedikuar ndaj letërsisë së mirë. Më pas, janë lexuesit e tjerë, të cilët nuk dua t’i etikoj me një epitet të caktuar, por që në thelb librin e konsiderojnë si diçka që do t’i bëjë të ndihen më të respektuar në shoqëri. Fatmirësisht nuk kam hasur shpesh si këta të fundit dhe jam e befasuar me të rinjtë lexues, që rrallë gabojnë në zgjedhjet e tyre.

Cili ka qenë libri që ju ka influencuar më shumë?

Në faza të ndryshme të jetës ka pasur libra të veçantë, të cilët kanë shenjuar secilën etapë. Në fëmijëri mund të përmend “Aventurat e Tom Sojerit” si librin që admiroja, sepse karakteri im si fëmijë ishte krejt e kundërta e atij që ju kujton Tomi. Unë kërkoja të lexoja për aventurat, të cilat nuk kisha guximin t’i përjetoja vetë dhe argëtohesha jashtë mase me humorin dhe mënyrën fantastike se si është ndërtuar ai libër.

Gjatë adoleshencës së hershme, mund të përmend “Ditari i Anne Frank” si librin që ndryshoi botëkuptimin tim për lirinë, luftën, të drejtat e njeriut, historinë botërore dhe më bëri shumë empatike.

Më vonë, kam adhuruar Kamy prej ideve të tij ekzistencialiste, të cilat mendoj se formuan disi karakterin tim.

View this post on Instagram

《Në pjesën e parë të romanit, Merso mëson për humbjen e së ëmës, e cila jetonte prej vitesh në një shtëpi për kujdesin e të moshuarëve. Përpara kësaj vdekje, cuditërisht ai duket i ftohtë, e kapërcen dhe e pranon. Më pas Merso përballet për të dytën herë me vdekjen, por këtë herë në rolin e një vrasësi. Këmbëza e armës shkrepet padashur, teksa dielli i pengon shikimin dhe e verbëron. Pas vdekjes së arabit, gjithë jeta e tij shkërmoqet e merr një tjetër kthesë.  Në pjesën e dytë të romanit, Merso ndodhet në burg dhe ecejaket e vetme të tij janë në birucin pa dritë e të ndotur. Mendimet e tij vërtiten përreth gjykatave, akuzës për vrasje, ndëshkimit me vdekje dhe jetës së tij. Merso është i huaji për këto që e njeh dhe mbetet i huaj edhe para vetes deri në fundin e tij. Ai mbetet një fajtor pa faj, i cili e pranon krimin, por duke i lënë fajin diellit. Merso konsiderohet një personazh i absurditetit.》 •••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••• Në #njetuferrezezhneperre🌥 mund të lexoni mbi librin e muajit Shtator në Klubin e Librit #rrembelibrin. "I huaji,romani, i cili ndryshon plotësisht botëkuptimin njerëzor. Linku ndodhet në BIO.↖️ Lini përshtypjet tuaja dhe shpërndajeni me miqtë.💕 #njetuferrezeshneperre⛅ #blogger #writingblog #love #literature #books #lovebooks #bookclub #happiness #peace #blogspot #motivation #writer #quotes #poems #poet #author #bookstagram #poetry #writing #feelings #amreading #BookLovers #goodreads #bookphotography

A post shared by Një tufë rrezesh nëpër RE⛅ (@njetuferrezeshneperre) on

Ndërkohë vazhdoni studimet për financë, një degë shumë e ndryshme nga letërsia. Pse kjo zgjedhje?

Zgjedhja ime është diametralisht e kundërt nga ajo që të gjithë prisnin nga unë. Letërsia është dashuria ime e parë, por unë nuk doja të kufizohesha vetëm në këtë fushë. Zgjodha të studioj mbi botën financiare dhe atë bankare për të pasur një formim më të kompletuar dhe pse jo, për të zhvilluar disa aftësi sipërmarrëse, të cilat në të ardhmen mund të më drejtojnë në udhën e kthimit të pasionit tim të parë në biznes.

Autori i preferuar?

Kur pyetem për autorin e preferuar, ndihem gjithnjë e zënë ngushtë. Unë adhuroj autorët klasikë, ata që konsiderohen të pavdekshëm. Megjithatë me vështirësi veçoj Remark, Gabriel Garcia Marquez, Tolstoi dhe Stefan Zweig, ndërsa nga autorët shqiptarë admiroj Ismail Kadare, Dritëro Agollin, Fatos Kongolin dhe Teodor Kekon. Gjithashtu, nuk harroj të përmend si shumë të dashur Flutura Ackën dhe Albatros Rexhaj.

Shprehja që ju është ngulitur në mendje dhe s’do e harroni kurrë?

Shprehja ime e preferuar është në gjuhën latine: “Dum spiro spero” dhe do të thotë “teksa frymoj, shpresoj”. Mendoj që është kthyer në lajtmotivin e përditshmërisë sime prej vitesh tanimë. Unë jam ëndërrimtare dhe jo vetëm që shpresoj, por dhe punoj shumë që ëndrrat t’i bëj realitet.

Një tjetër shprehje e cila më shoqëron gjithnjë është një citat i Anne Frank, e cila shprehej “Letra duron më shumë se njeriu.” Kjo është një nga arsyet pse unë zgjedh më shumë të shkruaj sesa të flas.

E ardhmja jote, ende me shumë libra në dorë apo një karrierë në fushë tjetër?

E ardhmja ime do i kushtohet tetë orëve zyrtare të punës në financë dhe gjashtëmbëdhjetë orët e tjera mes librash, shkrimesh dhe planeve për të botuar librin tim të parë, i cili shpresoj të mos jetë shumë larg.

Çfarë mesazhi do donit të përcillnit për të gjithë ata që po e lexojnë këtë intervistë?

Do i ftoja të gjithë të bëhen pjesë e Klubit të Librit në blogun tim #rrëmbelibrin. Njerëzit që duan librat janë e vetmja shpresë se kjo botë do të bëhet më e mirë.

/Blitz.al/

View this post on Instagram

《"Katedralja e Parisit" është një nga kreveprat më të vlerësuara botërore. Në këtë roman mund të prekesh qartë romantizmin e vërtet, përshkrimin e imët të cdo personazhi, sendi e ngjarje, humanizmin, kontrastet e theksuara dhe dëshirën e autorit për të lartësuar figurën e Katedrales e për të respektuar popullin, por njëkohësisht për të vënë në pah mediokritetitn e turmës.》 ••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••••• Në #njetuferrezezhneperre🌥 mund të lexoni recesionin për një nga kryeveprat e letërsisë botërore "Katedralja e Parisit" shkruar nga Viktor Hygo. Linku ndodhet në BIO. ↖️ Lini përshtypjet tuaja dhe ndajeni me miqtë. 💕 #njetuferrezeshneperre⛅ #blogger #writingblog #love #literature #books #lovebooks #bookclub #happiness #peace #blogspot #motivation #writer #quotes #poems #poet #author #bookstagram #poetry #writing #feelings #amreading #BookLovers #goodreads #bookphotography

A post shared by Një tufë rrezesh nëpër RE⛅ (@njetuferrezeshneperre) on

Komento
Shperndaje