Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Intervistë/ Alice Taylor, shkrimtarja që la Anglinë për të jetuar në Shqipëri

Intervistë/ Alice Taylor, shkrimtarja që la Anglinë për të jetuar në Shqipëri
October 23
17:42 2018

Alice Taylor është britanikja që ka vendosur të jetojë në Shqipëri. Ajo ka gjetur veten e saj në jetesën dhe kulturën shqiptare, dhe ka vendosur të dokumentojë hapat e saj në blogun “The balkanista”. Por Alice ka një histori shumë interesante dhe frymëzuese që synon ta vazhdojë më tej, duke kontribuar në shoqërinë tonë. Pikërisht për të na treguar më shumë për veten dhe historinë e saj, ishte e lumtur për të zhvilluar këtë intervistë për Blitz.al.

Çdokush të njeh si “blogerja britanike që jeton në Shqipëri”, por kush është Alice përveç kësaj?

Kjo është një pyetje fantastike. Si fillim, nuk do e konsideroja veten si një “blogger”. Mbi të gjitha, jam një shkrimtare edhe profesionalisht, edhe për kënaqësi, dhe kam punuar si e tillë për shumë vite. Nuk e kisha menduar ndonjëherë të bëhesha një “blogger” dhe vetëm pas disa muajsh në Shqipëri, u insipirova dhe krijova blogun tim. Përveçse kam blogun “The Balkanista”, jam një shkrimtare, gazetare, aktiviste, e diplomuar për drejtësi, grua dhe njeri.

Si kanë qenë vitet e tua të fëmijërisë dhe adoleshencës? Cila është ajo gjë që ka ndikuar në zgjedhjet e tua në jetë?

Jam rritur në një zonë rurale në Cornwall, Angli. Jetoja në një shtëpi në fermë dhe kisha një kalë, pula,dhi, pata, qenë, mace, dhe një lopë të cilën mamaja ime e milte çdo mëngjes. Isha një fëmijë i vetëm dhe që e vogël m’u desh të mësoja të kënaqja veten në natyrë me kafshët, aventurat, plazhet dhe thjesht duke u ulur për të shijuar fshatin e bukur që më rrethonte. Babai im ishte shumë strikt dhe nuk më lejohej të shihja televizor apo të luaja lojëra në kompjuter, kështu që unë pikturoja, lexoja libra, shkoja në kurse pianoje dhe violine dhe mësova si të vlerësoja çfarë më rrethonte dhe si t’i përdorja për të mbushur kohën. Jam rritur në një mjedis familjar shumë të vështirë. Ishte diçka të cilën m’u deshën vite ta pranoja dhe si pasojë kam vuajtur nga depresioni dhe ankthi, por më ka bërë më të fortë dhe një individ që përshtatet shpejt. Gjithashtu më ka shtyrë të marrë pjesë dhe të jem aktive në punë kundër dhunës në familje, diçka të cilën e kam me pasion.

Pse u larguat nga Anglia?
Të gjithë fëmijërinë time, kurrë nuk u ndjeva sikur përkisja aty. Kur isha në shkollë, kur jetoja në fshat apo në qytet, asnjëherë nuk e gjeta grupin tim që të përshtatesha. Isha ekselente në shkollë dhe e suksesshme në punë, por mungonte diçka. Jam gjithashtu  një njeri që kërkon diell dhe ngrohtësi- gjëra që janë të rralla në Angli.

Si përfundim, kur fillova të udhëtoja dhe të eksploroja vende të tjera, fillova të kuptoja sa shumë gjëra mungojnë në Angli. Nuk gjeja asgjë inspiruese aty, asgjë të re për ta zbuluar dhe jeta ishte e vështirë. Edhe me paga të larta, thjesht punon për të ekzistuar pasi çdo lloj jetese me një mirëqënie të mirë nuk mund të arrihet nga klasa e mesme punëtore. E di që shumë njerëz shohin shumë gjëra të bukura në Angli, por për mua, ishte sikur të isha një peshk pa ujë.

Pastaj u zhvendosa në Maltë, një ishull i vogël midis Sicilisë dhe Tunizisë dhe kalova një dekadë duke jetuar dhe punuar aty, derisa krijova biznesin tim 3 apo 4 vite më parë. Për shkak të lirisë që puna ime më jepte, kisha mundësi të udhëtoja dhe të punoja në të njëjtën kohë- dhe atë bëra!

Dhe pyetja për të cilën të gjithë duan të dinë përgjigjen, pse vendose te jetoje në Shqipëri?

Erdha me pushime për 3 ditë dhe kjo u kthye në 3 javë. Gjatë kësaj kohe, bëra miq dhe filloi të më tërhiqte vendi, njerëzit dhe kultura. Kur erdhi koha të largohesha, ndihesha e mbushur me një trishtim të madh dhe aty e kuptova që duhet të zhvendosesha në Shqipëri. Dhe atë bëra, tre javë më vonë, e shoqëruar nga 2 macet dhe të gjithë gjërat e mia. Është me shumë mundësi vendimi më i mirë që kam marrë dhe nuk mund ta imagjinoj si do të ishte jeta ime nëse nuk do ta kisha zbuluar këtë vend fantastik.

A ishte e vështirë të nisje një jetë tërësisht të re në një vend të ri me një perspektivë ndryshe?

Jo. Kam jetuar në Maltë dhe Qipro më përpara, dhe pavarësisht se ato nuk janë aq të ndryshme në aspektin e kulturës sa Shqipëria, kishin sfidat e tyre. Për mua, pjesë e shpërnguljes është të zbulosh, të pranosh dhe të jesh e emocionuar për këto gjëra. Doja ta ndërfusja veten në gjuhën dhe mënyrën e jetesës, dhe jo thjesht të jetoja si një emigrant në një vend të huaj që dëshiron që gjithçka të jetë si “shtëpia”. Gjithashtu, përveç të qenit e huaj, ndihem sikur përkas këtu dhe ka gjëra që mund të bëj për të pasur një impakt pozitiv në jetët e njerëzve dhe kjo më bën pafund të lumtur. Të shpërngulesha këtu ishte një aventurë.

Cilat ishin vështirësitë me të cilat u përballe në fillim dhe si i tejkalove ato?

Vështirësitë e mia ishin më shumë personale sesa të lidhura me vendin. Sapo kisha kaluar një ndarje dhe po përballesha me makthin që pason divorcin, kisha jetuar në tre shtete në një vit, dhe ndihesha konfuze. E dija që doja të isha këtu dhe e dija që duhet t’i jepja vetes pak kohë për t’u përshtatur dhe për të gjetur qetësi në këtë vend të ri, dhe këtë bëra. Takova partnerin tim që më suportoi dhe udhëzoi, më pas krijova blogun që më ndihmoi të “regjistroja” të gjithë procesin- të gjitha këto gjëra ishin të nevojshme për t’u zhvendosur në shtëpinë time të re.

A keni menduar ndonjëherë të riktheheni në Angli?

Kurrë, asnjëherë! Nuk ka asgjë që më intereson atje dhe shumica e familjes dhe miqve të mi kanë emigruar gjithashtu. E evitoj të shkoj atje qoftë për pushime apo punë- pse do doja të shkoja atje kur ka aq shumë vende të tjera të mrekullueshme për të vizituar?

Çfarë punoni dhe si ka qenë ta zhvillonit atë në Shqipëri?

Jam një shkrimtare profesioniste dhe gazetare dhe jam e vetëpunësuar. Jam e specializur në sektorin ligjor dhe teknologjik, po ashtu në gazetarinë investigative dhe çështjet sociale. Klientët e mi janë kudo në botë dhe punoj nga laptopi.

Është koha për të zgjedhur ushqimin tënd të preferuar shqiptar, këngëtarët, filmin dhe qytetin!

Të zgjedh një ushqim të preferuar është e vështirë, prandaj po them çdo gjë që gatuan vjehrra ime. Këngëtarja ime e preferuar është Elina Duni, ndërsa film të preferuar nuk kam pasi është e vështirë t’i gjesh ato me titra. Qyteti im i preferuar përveç Tiranës, është pa asnjë dyshim, Shkodra. E dashuroj atë vend!

Çfarë është ndryshe në jetën në Tiranë në krahasim me qytetet e tjera të cilat ke vizituar?
Është i vetmi kryeqytet të cilin kam vizituar që ka ende pak shpirt dhe origjinalitet në të. Nuk mund ta konfuzoni me asnjë vend tjetër dhe nuk është i mbushur me qendra tregtare, Starbucks apo ndërtesa që ta bëjnë të duket si kudo tjetër. Tirana ka një energji që e bën të pakrahasueshme me vendet e tjera në të cilat kam qenë.
Cila është ajo gjë që nuk ju pëlqen dhe do donit ta ndryshonit në të ardhmen?
Ka disa gjëra që më shqetësojnë- dëshira për të betonizuar ndërtesat historike, mungesa e mundësive për të ricikluar, nuk ka akses për personat me aftësi të kufizuara… por këto janë disa gjëra në ndryshimin e të cilave shpresoj të marrë pjesë dhe unë në të ardhmen. Nuk do ankohem për to dhe më pas të bëj asgjë.
Përshkruaj shqiptarët në një fjali.
Shqiptarët janë njerëz që ambjentohen lehtësisht, që kanë një kulturë interesante dhe njerëzit më krenarë dhe mikpritës që kam takuar ndonjëherë.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Do vazhdosh të jetosh në Shqipëri dhe të bësh atë që bën?

Pse do doja të shkoja diku tjetër? Nuk do kthehesha në Angli dhe kam kaluar një dekadë në Maltë, kështu që nuk ka më asgjë aty për mua. E dashuroj jetën në Shqipëri dhe nuk kam asnjë plan të largohem.

Çfarë është diçka që njerëzit mund të mësojnë nga historia juaj?

Si fillim, nuk ka rëndësi nëse vuani në jetë, mundeni ta kaloni atë dhe madje të përdorni eksperiencat tuaja për t’ju fuqizuar teksa ecni përpara. Gjithashtu, përsa i përket punës, njerëzit duhet të kuptojnë që janë vetë ata “zot” të fatit të tyre. Mos rrini duke pritur për punë, mos prini që jeta t’ju ofrohet në një pjatë argjendi, duhet të punoni për të dhe ka kaq shumë gjëra që mund të bëni. Duhet thjesht të shkoni dhe t’i arrini. Nuk jeni më të kufizuar nga kufijtë gjeografikë, me internetin nuk ka më asnjë limit për atë çka mund të arrish. Në këtë kohë, nuk ka thuajse asnjë justifikim për të mos pasur një qëllim në jetë- nëse nuk jeni të motivuar, çohuni dhe motivoni veten tuaj.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje