Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Washington Times”: Në interes të SHBA-ve të forcojë aleancën me Shqipërinë

“Washington Times”: Në interes të SHBA-ve të forcojë aleancën me Shqipërinë
April 14
11:04 2016

“Washington Times” i kushton një artikull të veçantë vendit tonë, me titull “Zëri moderator i Shqipërisë”. Gazetari Jason Katz përshkruan fillimisht Europën e fundit të shekullit të XX-të, pas përmbysjes së komunizmit dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. E ndër shtetet e reja që u krijuan nga kjo shpërbërje, ai veçon Shqipërinë qe ekzistonte para tyre, një vend i vogël malor në bregdetin lindor të Adriatikut, i njohur në lashtësi si Iliri.

“Islamizuar me forcë nga otomanët në shekullin e XV-të, Shqipëria sot është një vend me maxhorancë myslimane, por përgjithësisht shekullar. Ky vend është referuar shpesh si një anëtar i rëndësishëm i aleancës së NATO-s dhe si kandidat për t’iu bashkuar BE-së.”, shkruan “WT”.

Më tej, gazetari Katz citon deklaratën e kryeparlamentarit Ilir Meta në diskutimin me Komisionerin e BE-së për Migracionin dhe Punët e Brendshme, ku Meta u shpreh se kriza e refugjatëve do vijojë për aq kohë sa do të vazhdojë edhe dhuna në vendet e origjinës dhe largësia që ekziston mes vendeve të origjinës dhe atyre të azilit. Në këtë diskutim, Meta theksoi se Qeveria e Shqipërisë po përgatitet dhe po forcon kapacitetet e regjistrimit dhe vetimit për çdo individ që mund të tentojë të hyjë, por e gjithë kjo kërkon shkëmbim më të mirë të inteligjencës dhe rritje të bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese.

“Shqipëria është përballur me sfidat e saj dhe falë udhëheqësve si z. Meta ka arritur të ndërtojë një shtet demokratik me maxhorancë myslimane, por të përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, shekullarizmit dhe modernizimit. Për këtë arsye, Shqipëria është një aset i çmuar për politikën e jashtme të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.”, thuhet më tej.

“WT” e cilëson si optimiste të ardhmen ekonomike të Shqipërisë, e cila është pjesëmarrëse në Korridorin Jugor të Gazit, një projekt energjetik strategjik që nis në fushën masive Shah Deniz të gazit të Azerbajxhanit në Detin Kaspik dhe që do mundësojë shkëputjen nga varësia politike dhe energjetike e Sirisë.

“Këto dhe projekte të tjera ekonomike, së bashku me mbështetjen që z. Meta dhe kolegët e tij i japin reformave në mbështetje të zbatimit të ligjit, përfshirë edhe angazhimin e qeverisë në rritjen efektive të luftës ndaj kultivimit dhe trafikut të drogës, e bëjnë të ardhmen e Shqipërisë më të sigurt. Është përgjegjësia e shteteve të konsoliduara që të mirëpresin hyrjet e reja. Aspirata e Shqipërisë për integrimin në BE është tashmë në axhendë.”, shprehet gazetari Katz.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve për inteligjencë dhe ruajtje të kufijve, zbatimin e ligjit, për reformat ekonomike dhe veçanërisht në sistemin e drejtësisë, por sidomos që Amerika të flasë për të kur zëri i Shqipërisë në Bruksel mbytet nga mosmarrëveshjet e 27 anëtarëve të BE-së. “Washingtoni duhet të jetë miqësor dhe mbështetës, jo për shkak të zemrës së tij të mire, por sepse është në interesin e SHBA të forcojë aleancën me Shqipërinë.”, thuhet në përfundim të shkrimit.

Komento
Etiketimet
Shperndaje