Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama për “The Times”: Absurde të tërheqësh Shqipërinë në betejën për “Brexit”

Rama për “The Times”: Absurde të tërheqësh Shqipërinë në betejën për “Brexit”
April 26
11:40 2016

“Ndoshta ne duhet të kënaqemi që Shqipëria e vogël është në qendër të debatit europian të Britanisë së Madhe. Kur pashë sugjerimin e historianit Michael Gove që Britania të shkëputet nga partneriteti i saj me Gjermaninë, Francën dhe vendet e tjera të BE-së dhe në vend të tyre të nisë partneritetin me vendet që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, reagimi ishte i menjëhershëm: “A nuk është pak e çuditshme?”- shkruan Edi Rama në fillim të shkrimit për “The Times”.

Kryeministri shkruan më tej se nuk mund të pretendohet që Shqipëria ka fuqinë politike dhe ekonomike për të qenë rivale e Bashkimit Europian, që ka qenë një faktor ndihmës në vendosjen e paqes. Ai falënderon Michael Gove për dozën e publicitetit përpara sezonit turistik dhe fton investitorët të vijnë dhe të eksplorojnë në Shqipëri.

“Nuk jam i sigurt nëse krijimi i BBC-së (British Balkan Confederation), Konfederantë Britaniko-Ballkanike do t’u vinte për shtat nevojave tona dhe Britanisë së shekullit XXI apo nëse do ishte e drejtë që Britania e Madhe të hidhte sytë nga Shqipëria si model i marrëdhënieve me BE-në. Në fakt, jam i bindur se do të ishte e gabuar nëse Britania do të vepronte kështu”, – shkruan më tej Rama.

Teksa vijon t’i cilësojë si të çuditshme komentet e Gove, kreu i qeverisë thotë se ato vijnë në kohën kur maxhoranca dhe opozita po punojnë bashkërisht për reformën në drejtësi e ndërkohë që britanikët hedhin sytë jashtë kufijve të BE-së, Shqipëria e vende të tjera duan të anëtarësohen një orë e më parë.

“Dhe pa Shqipërinë si pjesë të BE-së, Bashkimi Europian ka ndikim pozitiv në vendin tim dhe në të gjitha vendet që Gove ka veçuar si aleatë të mundshëm të Britanisë pas daljes nga BE-ja”,- vijon Rama, i cili thekson se BE ka vlera dhe ideale që Shqipëria aspiron t’i ketë dhe për të cilat ka ndryshuar historinë e gjatë të luftërave dhe konflikteve.

Kryeministri thekson se Shqipëria po punon për anëtarësimin, për të pasur ato të mira që Britania do t’i humbiste nëse del nga BE, si për shembull: shërbimet e ofruara nga tregu europian, bashkimi doganor.

“Si një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian na duhet të implementojmë rregullat e BE-së, por ndërkohë pa pasur asnjë zë në kapitull kur këto rregulla krijohen dhe votohen. Si një vend ende jo pjesë e BE-së, na duhet të përafrojmë legjislacionin në një sërë fushash si konkurrenca, pronësia intelektuale, industriale e tregtare, prokurimi publik, standardet dhe certifikimi, transporti detar, shoqëritë tregtare, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e të dhënave, shëndeti dhe siguria në punë. Lista është edhe më e gjatë se kjo”,- shprehet Rama, i cili thekson se Shqipëria është e gatshme të pranojë këto vështirësi dhe pengesa. Ai shpreh bindjen se qëndrimi i Britanisë në BE është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë.

“Jam i bindur se ky vendim do ishte më i miri edhe për Britaninë dhe miliona njerëz në Europë e më gjerë që sot i bëjnë thirrje popullit britanik: Ju lutem, mos u largoni!”

Komento
Etiketimet
Shperndaje