Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Down Syndrome Albania: Pavarësisht ligjit, nuk ka mësues-mbështetës për fëmijët tanë

September 16
18:19 2016

Më 13 shtator nisi viti i ri shkollor 2016-2017 për 392 mijë nxënës, ndër ta rreth 27 mijë nxënës në klasë të parë. E mes tyre janë edhe të vegjlit e fondacionit “Down Syndrome Albania”, të cilët nisën me bashkëmoshatarët e tyre rrugëtimin drejt dijes.

Arbi, Belkisa, Marvini, Vanesa, Emiljano dhe Erdeni, me çanta në krahë dhe lule në duar, u ulën në bankat e shkollës. Blitz.al mendoi t’u kushtojë vëmendje edhe këtyre vogëlushëve.

Në intervistën e realizuar në fondacionin “Down Sindrome Albania”, me ndihmën e znj. Emanuela Zaimi dhe stafit të saj, flasim për sfidat me të cilat vogëlushët e DSA-së përballen gjatë shkollimit të tyre, marrëdhëniet me mësuesit, nxënësit e tjerë. A u ofrohet atyre ndihma e posaçme nga institucionet përkatëse qeveritare? A dëgjohet zëri i tyre?

  1. Sa fëmijë të fondacionit “Down Syndrome Albania” janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës? Sa prej të vegjëlve kanë nisur kopshtin?

– Qendra e Arritjeve dhe Zhvillimit pranë fondacionit “Down Syndrome Albania” aktualisht ofron shërbime terapeutike të ndërhyrjes së hershme për 27 fëmijë me sindromën Down. Prej këtyre fëmijëve, 6 janë frekuentues të shkollës, 1 është në ciklin parashkollor dhe 5 në kopsht. Një nga këta fëmijë është futur në klasë të parë këtë vit.

2. Ata fëmijë që nuk ulen për herë të parë në bankat shkollore, pra që janë tashmë në shkollë, por edhe në kopsht, sa të lehtë/vështirë e kanë të përballen me komunitetin (mësuesit, shokët e shoqet)?

– Fëmijët me sindromën Down përjetojnë emocione ashtu sikurse edhe fëmijët e tjerë me zhvillim tipik. Sigurisht që ka edhe raste kur fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj përballjes me figura të reja por edhe ritakimit me figura të vjetra. Pjesa më e madhe e fëmijëve me sindromën Down e kanë të lehtë procesin e përshtatjes me bashkëmoshatarët e tyre, por edhe me figura të tjera.

Sipas të dhënave që fondacioni ynë disponon nga prindërit e fëmijëve me SD që frekuentojnë këto institucione, vërehet që fëmijët trajtohen mirë nga bashkëmoshatarët e tyre në këto mjedise. Vështirësitë fillojnë të reflektohen kur fëmijët me SD kanë artikulim jo të qartë, gjë që vështirëson procesin e komunikimit dhe herë pas here kjo ndikon në marrëdhënie me të tjerët. Nëse fëmija me SD ka vonesa të caktuara në zhvillimin fizik, kjo ndikon në mospjesëmarrje në aktivitete të caktuara në të cilat fëmijët shoqërizohen dhe krijojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin. Për të konkluduar, fëmijët me sindromën Down përballen me çdokënd, duke konsideruar mënyrën e qasjes së personave të tjerë ndaj tyre.

3. Si trajtohen këta fëmijë krahasuar me të tjerët? Bëhen diferencime?

– Trajtimi i fëmijëve me SD brenda sistemit arsimor në këtë rast s’duhet të jetë trajtim i barabartë në termat që jemi mësuar të dëgjojmë, kjo pasi duhen kushte të tjera dhe ofrim i shërbimeve të ndryshme për të pasur një gjithëpërfshirje sa më të plotë. Në lidhje me sjelljen e komunitetit, kjo është diçka që matet subjektivisht pasi varet nga njerëzit që e rrethojnë.

4. Fondacioni juaj është gjithmonë pranë familjeve me fëmijët me sindromën Down. Ç’do të thotë për ato familje, ata prindër të vogëlushëve, të çojnë të vegjlit e tyre në shkollë ku sfidat janë të pranishme?

– Procesi i gjithëpërfshirjes për fëmijët me SD është asimiluar për një pjesë të madhe të prindërve në qytetin e Tiranës, por jo vetëm. Edhe frekuentimi i sistemit arsimor i përball prindërit me sfida, duke filluar që nga pranimi i fëmijës në sistem, bashkëpunimi me moshatarët, marrëdhënia me mësuesit apo stigma që është akoma pjesë e madhe e shoqërisë sonë.

5. A janë ndihmuar nga qeveria (institucionet përkatëse) nxënësit e vegjël, parashkollorët me sindromën Down?

– Pavarësisht se që në vitin 2012 kemi një ligj gjithëpërfshirës, “Ligji mbi sistemin arsimor parauniversitar” Nr. 69/2012, në praktikë ka shumë vështirësi. Ligji parashikon që duhet të ketë mësues ndihmës për klasat që kanë persona me aftësi të kufizuara, por në realitet ose nuk ka fare ose janë jashtë profilit që duhet të kenë për këtë funksion. Gjithashtu ka akoma raste kur fëmija nuk pranohet në shkollë dhe prindi detyrohet ta çojë në shkollë speciale apo në privat. Ligji gjithashtu parashikon dhe ofrimin e shërbimeve rehabilituese pranë shkollave apo materialeve të përshtatura për fëmijët me aftësi të kufizuara, por në praktikë nuk funksionojnë.

Institucionet përkatëse kanë si detyrë të krijojnë dhe të sigurojnë arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet publike, por në praktikë komisionet e vlerësimit (për të vlerësuar nëse fëmija ka nevojë për mësues ndihmës etj.) duhen kërkuar nga prindi apo  drejtori i shkollës dhe kjo shpesh nuk ndodh për shkak të neglizhencës apo mosinformimit.

/Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje