Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fjalimi prekës dhe i fortë i Jolie për situatën e refugjatëve sirianë

Fjalimi prekës dhe i fortë i Jolie për situatën e refugjatëve sirianë
March 16
13:30 2016

Ylli hollivudian, Angelina Jolie Pitt, njihet për fushatat e saj humanitare dhe misionet që ndërmerr në ndihmë të çështjeve mbi varfërinë nëpër vendet e botës së tretë. Aktualisht ajo është e angazhuar maksimalisht për të qenë pjesë e një zgjidhjeje për popullin sirian. Në një takim në Liban, ajo ka mbajtur një fjalim të ngarkuar emocionalisht, por edhe plot të vërteta sa u përket veprimeve që janë ndërmarrë ose jo nga tryezat ndërkombëtare.

“Mirëmëngjesi! Jam e lumtur që ndodhem sërish këtu në Liban.

Dua të falënderoj të gjithë njerëzit këtu që kanë ndihmuar dhe mirëpritur rreth 1 milion sirianë, sepse unë e di se sa e vështirë është të arrish të akomodosh një fluks të tillë, ekuivalenti i  ¼ popullsisë vendase.  Besoj jeni në dijeni të një mesazhi të madh që po jepni nëpër botë se çfarë vlerash keni dhe ndani ju, njerëzit e këtij vendi.

Jeni duke dhënë një shembull për më shumë vëllazëri, humanizëm dhe solidaritet. Ndaj, në emër të organizatës, por edhe në emrin tim personal, ju faleminderit!

Sot, që shënohet viti i pestë i luftës në Siri, gjërat nuk duken edhe aq premtuese, fatkeqësisht.

Kam pasur mundësinë të flas me shumë refugjatë sirianë dhe dëshira e tyre është të kthehen në vendin e tyre sapo të jetë e sigurt për ta. Dhe më besoni, arrij të shikoj dritë në sytë e tyre kur flasin për vendin e lindjes dhe se si duan që ky i fundit të jetë.

Sa e vështirë është për të gjithë ata që kanë pesë vjet që kanë lënë prapa shtëpitë, të dashurit, çdo aktivitet dhe janë kthyer në endacakë për të gjetur strehim nëpër stacione treni, depo dyqanesh dhe rrugë!

Numri i refugjatëve tani është edhe më i madh sesa në Luftën e Fundit Botërore. Jemi në një moment shumë delikat për sa i përket gjithë botës dhe jo vetëm zonave të luftës, sepse ne nuk po dimë se si të reagojmë ndaj asaj që po ndodh. Janë 60 milionë njerëz që enden nëpër botë pa një strehë. Situata ka dalë jashtë çdo parashikimi dhe nuk ka rëndësi nëse vende të pasura apo të varfra marrin përsipër të ndihmojnë, të gjithë ndodhen përpara një fakti tejet të vështirë.  

Por, edhe pse jemi në një moment shumë emocional, teksa dëgjojmë përditë histori drithëruese refugjatësh, nuk duhet të lëshohemi. Është koha të veprojmë racionalisht, me qetësi dhe perspektivë.

I kuptoj frikërat e vendeve mikpritëse të këtyre refugjatëve. Nuk është faj të paragjykosh apo mendosh se disa njerëz të caktuar mund të të dëmtojnë vendin. Por nuk duhet ti lejojmë frikërat të na mposhtin dëshirën për ta bërë botën një vend më të mirë.

Ajo unë kërkoj sot nga gjitha qeveritë nëpër botë është të tregojnë vlerat e tyre udhëheqëse dhe menaxhuese, të analizojnë siç duhet situatën dhe të dalin në raporte ekzakte se si mund të ndihmojnë dhe në çfarë aspekti konkretisht.  

Arsyeja se pse kemi ndërtuar organizata ndërkombëtare është pikërisht që të mundemi të menaxhojmë situata të tilla alarmi. A jemi duke e bërë këtë gjë?

Unë jam e sigurt që kemi eksperiencën dhe mundësinë e duhur për të ndërtuar një mjedis ndërkombëtar të sigurt për të gjithë. Ne mund të krijojmë rregull edhe nga kaosi.

Ajo çka duhet të bëjmë është të kuptojmë ligjet, të zgjedhim të mos kemi frikë dhe të tregojmë hapur dëshirë për ta bërë botën vend më të mirë. Për popullin sirian, për të gjithë refugjatët nëpër botë që i kanë sytë dëshpërimisht nga zgjidhjet që mund të japin tryezat ndërkombëtare, shpresoj t’ia dalim!

Dhe gjithashtu shpresoj që marsi i ardhshëm ti gjejë sirianët në paqe dhe këta të fundit të jenë duke rindërtuar jetët e tyre në vendin që ata quajnë atdhe, shtëpi, ngrohtësi, edhe pse këto të fundit aktualisht janë të mbuluara nga shkatërrimi…”

Shperndaje