Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Fëmijë të lumtur, e ardhme e bukur” – 1 qershori shkoi dje edhe te fëmijët jetimë, autikë dhe me sindromën down!

“Fëmijë të lumtur, e ardhme e bukur” – 1 qershori shkoi dje edhe te fëmijët jetimë, autikë dhe me sindromën down!
June 02
09:15 2018

Nga Edona Haklaj

 

Rrugët e zhurmshme të Elbasanit sot u zgjuan më ndryshe edhe pse prapë nën një diell të fortë qershori.Aty, diku afër, në një qoshkë, dita kishte nisur më herët se zakonisht, më e ngrohtë se zakonisht.

Ndoshta ishin rrezet e diellit arsyeja, apo…ndoshta ishte zëri i fëmijëve në ditën e tyre. Elbasani sot priste miq.

Qendra WPS, “Gratë ne Shërbim Publik”,  kishte organizuar një aktivitet për fëmijët jetimë, autikë dhe me sindromën Down me rastin e 1 qershorit “Ditës së Fëmijëve” në ambientet e kompleksit “Ajek”. Fusha e madhe, e blertë tani kishte mbushur hapësirën me zërat e vegjël. Dita premtonte shumë në vazhdim.

Orari është nga ato gjërat më të vështira për tu realizuar në organizime të tilla,  por edhe pse me pak peripeci, aktiviteteti filloi pothuajse në orën e planifikuar, ndoshta pak minuta me vonesë.

Gjithcka ishte gati.

Fëmijët e kishin filluar festën tashmë. Por, duhej dhe një hapje zyrtare e aktivitetit, që gjërat të bëheshin ashtu siç duhej , me qëllimin e mirë dhe seriozitetin e duhur.

Në prani edhe të mediave lokale aktiviteti u përshëndet nga organizatoret, drejtoresha e qendrës “WPS Albania” Mimoza Hajdarmataj, drejtoresha e “Qendrës së Autizmit” Elbasan, Blerina Boci,  pedagoget Elsa Gega dhe Sonila Tanku dhe një përshëndetje me poezi nga vajzat e grupit të WPS.

Tani s’kishte me vend për fjalë, festa duhej filluar. Nën tingujt e kitarës që vinin nga duart e një djaloshi të talentuar, pako me dhurata filluan të shpërndaheshin. Këtu filloi të dukej qartë gezimi në sytë e fëmijëve.

Ndoshta e pamundur për ta që ta shprehin me zë,  me fjalë, por sytë e tyre tregonin shumë. Duke mbajtur pakot në duart e tyre, me sytë që u shkelqenin dukej sikur falenderonin në mënyrën që ata dinin,  e atë që ndoshta ne shpeshherë nuk e kuptojmë, gjuhën e syve.

Kishte dhe nga ata fëmijë që ngjyra e tullumbaceve nuk u pëlqente, donin një lodër tjetër, kishte nga ata që trembeshin nga prania e maskotës dhe animatorëve.

Tek e fundit ishin fëmijë, u lejohej të kishin teka. Dielli vazhdonte të ngrohte ashtu pa ndalur, por kjo nuk pengonte aspak festën, thjesht e nxiste më shumë atë.Studentët e Elbasanit, plot energji, të veshur me bluza te bardha, si vet simboli i kësaj dite te bardhë dhe paqësore, me bojëra pikturonin duart e të vegjëlve duke i vendosur pastaj duart e tyre në po ato bluza, e duke krijuar kështu një botë shumëngjyrëshe me kujtimet më të bukura të asaj dite.

Të gjithë vraponin, kërcenin, luanin dhe dukej sikur për një moment gjithë bota kishte ndaluar në Elbasan.Sot qendra nuk ishte Tirana, nuk ishin fëmijët që kanë gëzuar cdo ditë të jetës si festë, sot qendra ishin pikërisht këta femijë që në çdo ditë të jetës kërkojnë motivin për të gëzuar.E motivin duhet t’ua japim ne të gjithë së bashku, me dashuri, asgjë më shumë.

Minutat po kalonin dhe festës së atyshme,  si pa kuptuar po i vinte fundi, edhe pse askush nuk e ndiente lodhjen.Vajzat e WPS me buzëqeshjen që nuk u ndahej në fytyrë , vazhdonin të loznin, të kërcenin me fëmijët sikur të ishin dhe vet fëmijë.

Bota fëmijërore po ndihej në ajër.

Ishte pikërisht muzika me këngë ritmike dhe disa valle ajo që do mbyllte pjesën e parë të aktivitetit mes haresë së fëmijëve, mes dhuratave dhe tullumbaceve, mes dashurisë dhe emocioneve. Pas shumë perqafimesh grupi u nda nga fëmijët autikë dhe me sindromën Down , duke vazhduar kështu vizitën për tek fëmijët jetimë.

Dita s’kishte mbarim,  aq më pak emocionet.

“Qendra e Fëmijëve Jetimë” nuk ishte shumë larg.

Që në momentin e mbërritjes, gjithçka ndryshoi. Ndryshe nga atmosfera e pjesës së parë, plot femijë, plot zhurëm, këngë, valle, tani vëmendja ishte zhvendosur diku tjetër.

Një vend i qetë, disi “i humbur” mes rrugëve të Elbasanit… Në pamundësi për të qënë prezentë të gjithë fëmijët jetimë të qendrës , takimi u realizua me katër prej tyre: Megin, Aleksandrën dhe Armandin,  tê tre energjikë,  të dashur dhe të zgjuar,  që ishin dhe fëmijët e një familjeje , babai i të cilëve kishte nderruar jetë që tre vite dhe Xhemali, që kishte po të njëjtin “fat” si tre të parët, por që ishte më i mbyllur nga natyra, fliste shumë pak. Mes ngrohtësisë dhe përqafimeve u prit qendra e WPS nga këta katër fëmijë. E kush do ta mendonte që në një “skutë” të qytetit të Elbasanit, larg Tiranës “qendrës inteligjente”, mund të gjendeshin fëmijë të tillë që dhe vet “mbreti” do i kishte zili?

Dukej që e donin shumë shkollën, të mësuarit, të lexuarit pasi nuk hezituan të ndanin vjershat e tyre me të pranishmit, të shoqëruara me buzëqeshje dhe ndoshta pak “turp fëmijëror”. Ndjesia që përcillnin ishte më shumë se një ndjesi e një fëmijë të vogël.Ata të falnin kuptimin e jetës, atë që ne e kemi humbur me kohë, duke rendur pas gjërave që shpesh i quajme më të rëndësishme, por janë thjesht zbrazëtira të jetës.

Kur morën pakot, Megi, njëra nga vajzat jetime, hapi pakon e saj dhe i dha dy vajzave të grupit dy nga ëmbëlsirat e veta, duke i thënë : “Merrini dhe ju, me mjaftojnë këto tjerat mua.”

Heshtja mbyste dhimbjen.

Mes lotësh , e shkëmbimeve të numrave me fëmijët e vegjël, ne duhej të largoheshim, por me premtimin që do mbanin lidhjet dhe komunikimin me ato familje. E vështirë për t’i shkëputur duart nga të vegjëlit, por duhej të largoheshin.

Tani ditë i kishte ardhur pothuajse fundi. Nën rrezet e diellit sërish të fortë, ne pluhurin e rrugës, makina mori rrugën për në Tiranë.

Dita vërtet mbaroi, qëllimi u arrit , fëmijët gëzuan dhe lumturuan. Por, misioni i “WPS” sërish vazhdon deri ne takimin e rradhës, për një shoqëri të lumtur dhe të barabartë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje