Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Çelet “Panairi i Punës 2016”, Rama: 8,000 vende të lira pune, 55% e punëkërkuesve janë pa profesion

Çelet “Panairi i Punës 2016”, Rama: 8,000 vende të lira pune, 55% e punëkërkuesve janë pa profesion
April 28
11:14 2016

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, kanë çelur sot Panairin e Punës 2016, të organizuar në Pallatin e Kongreseve.

Ky panair që do të zhvillohet përgjatë datave 28-29-30 prill 2016 është një mundësi e madhe për biznesin për të pasqyruar ecurinë e tij në infrastrukturë, inovacion, teknologji. Në këtë aktivitet, bizneset përveçse do të promovojnë shërbimet e tyre, do të vendosin në dispozicion të publikut vendet e lira të punës.

Gjatë fjalës së tij në çeljen e “Panairit të Punës 2016”, kryeministri Edi Rama deklaroi se të gjithë të interesuarit për punë, kanë hapësirën e jashtëzakonshme për të aplikuar. Ai theksoi se në këtë panair ofrohen 8 mijë vende të lira pune që presin punëtorë të specializuar, por problemi më i madh është mungesa e kualifikimit në Shqipëri.

“Qeveria urë solide mes biznesit dhe punëkërkuesve. Panairi është tregues i përpjekjeve të qeverisë sonë. Në panair ka shumë oferta punësimi. Janë 8 mijë vende pune që ofrohen nga 130 sipërmarrje. Shqipëria ka punë, por kërkohen punonjës të kualifikuar. Janë 31 mijë vende pune që janë të hapura, por 55% e punëkërkuesve janë pa arsim dhe 40% e kërkesave janë për teknikë e specialistë. Mungojnë njerëzit e kualifikuar” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se punësimi në sektorin privat është një mundësi e mirë pasi nuk ekziston vetëm mundësia e punësimit në shtet. Nga ana tjetër, Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi se gjatë kësaj kohe janë 5-fishuar fondet për nxitjen e punësimit dhe janë reformuar rrjetet e zyrave të punës.

Etiketimet
Shperndaje