Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Artan Fuga: Qytetarët po trajtohen si derra, bagëti, si pa tru dhe si skllevër

Artan Fuga: Qytetarët po trajtohen si derra, bagëti, si pa tru dhe si skllevër
November 29
15:49 2016

Akademiku Artan Fuga është një ndër personat që ngre probleme të shumta të shoqërisë shqiptare dhe përdor më tepër për komunikim me publikun Facebook-un e tij personal.
Në një postim së fundmi, Fuga ka folur për plotësimin e disa prej kushteve minimale, pa të cilat ne nuk mund të integrohemi në BE.
Fuga shkruan se qytetarët janë përdorur përherë si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër.
Ja statusi i plotë i tij:
“Kushte suplementare për t’u integruar në BE
——————-
– Kur për çdo pulë të therur dhe të vendosur në një frigorifer shtëpie ose dyqani, kur ndërpritet energjia elektrike dhe pula shkrin, gjobën disa herë sa çmimi i pulës ta paguajë operatori me të cilin është lidhur kontrata e furnizimit me atë energji.
– Kur për çdo dëmtim të një qytetari që rrëzohet në rrugë si pasojë e një hendeku ose trotuari të parregulluar, gjobën si edhe dëmshpërblimin, përpos shpenzimeve të mjekimit të tij, t’i paguajë bashkia.
– Kur për çdo autoveturë që thyhet nga gropat në rrugë, shpenzimet dhe gjobën për këtë dëmtim ta paguajë Ministria e Transporteve ose bashkia që mbulon atë zonë.
– Kur për çdo vonesë më shumë se 30 minuta të një treni, autobusi ose avioni, udhëtari të dëmshpërblehet me çmimin e biletës së prerë.
– Kur për çdo sëmundje mushkërish, dëmin personal si shpenzimet e mjekimit t’i paguajë Ministria e Shëndetësisë, ajo e Mjedisit ose bashkia që kontrollon territorin e tejndotur.
– Kur uji në të gjithë territorin e republikës të vijë 24 orë dhe pa nevojën e depozitave dhe pompave të pallateve që rëndojnë buxhetin e banorëve.
– Kur bashkitë të ndajnë mbetjet urbane sipas klasifikimit të tyre dhe t’i riciklojnë pa ndotur mjedisin.
– Kur për çdo qytetar, edhe administratori më i lartë publik të detyrohet t’i plotësojë kërkesën për informacion brenda tri ditësh.
– Kur për çdo kastravec të shitur, kungull me ose pa fara, për çdo shalqi, kilogram mishi, për çdo copë sallami, suxhuku ose salsiçeje, të dihet origjina nga ana e konsumatorit, lëre pastaj për çdo kokërr limoni, kumbulle, qershie a rrushi.
– Kur në administratë të mos ketë asnjë nëpunës të pranuar sepse është anëtar i ndonjë partie, por me konkurs të rregullt.
– Kur për çdo të sëmurë për të cilin jepen mjekime të gabuara dhe medikamente jashtë standardit, gjobën, dëmshpërblimin dhe zhdëmtimin ta paguajë shteti, spitali apo ministria.



Le t’i lëmë historitë me vetingje, mitingje, lobingje etj., por t’u japim të drejtat që u takojnë qytetarëve të trajtuar si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër.
Atëherë të bërtasim: “Europë, Europë!”
Kush nuk u jep qytetarëve këto të drejta, ai e pengon integrimin shqiptar në BE”,- përfundon shkrimi i profesor Fugës. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje