Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(VIDEO) Si ndihet një fëmijë autik? Jua thotë David…

March 30
07:39 2016

Arsyeja më madhore se pse nuk dimë, nuk kuptojmë dhe nuk përshtatemi më autizmin është në fakt edhe më e thjeshta: zakonisht jemi mësuar ta konsiderojmë sëmundje. Ky gabim në shprehje dhe kuptim ka prishur mendësinë mbi autizmin. Jo rrallë herë ngremë gishtin përqeshës apo mëshirues ndaj një fëmije me autizëm, njësoj sikur ky i fundit të jetë i prekur nga ndonjë sëmundje infektuese e kërkon si zgjidhje shërimin. Autizmi nuk është sëmundje, nuk shërohet dhe as nuk duhet të shërohet. Autizmi duhet të kuptohet. Ashtu si çdo fenomen i veçantë në botë. Nëse autizmi bëhet pjesë e kuptimësisë tonë, i të përditshmes, i të zakonshmes atëherë dhe vetëm atëherë ai nuk do të duket dhe aq i tmerrshëm.

Në videon e publikuar në Youtube nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, vërehet një mesazh sensibilizues i një fëmije autik, që kërkon të shpjegojë se çfarë në fakt nuk shkon mirë me këtë të fundit. Djaloshi tregon se si autizmi në fakt nuk e lejon të strukturojë disa gjëra në tru, por nga ana tjetër e lejon të shkëlqejë në fusha të tjera. Ai gjithashtu shpreh se sa emocionalë janë autikët dhe se sa kujdes duhet pasur me ndjeshmërinë e tyre. Megjithatë, ky proces, edhe pse në dukje i vështirë, nuk mund të jetë i pamundur. Gjatë video-mesazhit, djaloshi David kërkon ta ndiejë autizmin më afër njerëzve dhe t’i bëjë ata ta shohin këtë si një fenomen të zakonshëm duke mos prekur kështu ndjeshmërinë e autikëve, pikërisht atë që qëndron në thelb të vështirësisë së tyre.

Herën tjetër që në rrethin tuaj të të afërmve, në rrugë, në park apo edhe thjesht nëpërmjet mediave online takoni apo krijoni kontakt me një autik, përpiquni të kujtoni vetëm diçka: autizmi është të qenit ndryshe, por ndryshimi jo domosdoshmërisht mund të ketë konotacion negativ. Duartrokisni një gjeni të pianos pa menduar shumë nëse është apo jo autik. Ngrihuni në këmbë për një dijetar librash pa pasur në asnjë moment idenë nëse është autik apo jo; jepini ndihmë dikujt që ka vështirësi të komunikojë një mesazh ndaj jush pa u përpjekur të gjeni arsyen se pse ka këtë vështirësi. Autikët janë targetuar gjithë kohës, vetëm sepse shoqëria i ka nxjerrë në pah si të sëmurë dhe askush nuk ka vlerësuar gjeniun, pastërtinë, talentin apo ndjeshmërinë që ndodhet brenda tyre pa i vënë nga prapa nofkën “autik”. Dikush është autik, sepse ju vendosni ta shikoni si të tillë. Askush nuk do të ishte dhe as nuk do të ndihej i tillë nëse ne të gjithë do të përpiqeshim të kuptonim dhe ndihmonim përpara se të shënjestronim vështirësinë e tyre.

Njihuni me autizmin, lexoni për të, bëjeni të famshëm, targetojeni sa mundeni dhe kur i gjithë kurioziteti (e ndonjëherë dhe mllefi) të jetë shfryrë e zbrazur, ndaluni për një çast, jepini dorën një autiku dhe vendosni që prej atij momenti të mos e targetoni më si të tillë. Thirreni në emër dhe ndani botën me të. Djaloshi në video-mesazh quhet David, dikush tjetër do të quhet Xhoni, Denis, Ema … dhe lista nuk ka fund. Të gjithë e kanë një emër, kanë edhe dicvka shtesë, janë disi më të veçantë se të tjerët.

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje