Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

10 të vërtetat tronditëse të çështjes “Gërdeci” nga intervista e Guy Lawson në emisionin “Dritare”

10 të vërtetat tronditëse të çështjes “Gërdeci” nga intervista e Guy Lawson në emisionin “Dritare”
March 15
23:32 2016

Guy Lawson është një gazetar investigativ amerikan, i cili ka shkruar librin “Armët dhe çunat”,  duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, ku zbardh të vërtetat e ngjarjes dhe nxjerr në pah gabimet, fshehjet dhe zyrtarët e implikuar të kësaj çështjeje, si nga pala shqiptare ashtu edhe ajo amerikane. Ky libër pritet të bëhet edhe film në Hollivud, që me shumë mundësi do të jetë emocionues.

 Më poshtë do të lexoni 10 faktet më tronditëse të intervistës së Lawson në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës.

  1. Ministrja Kodheli duhet të marrë masa për përgjegjësit zyrtarë.

Ministrja e ka lexuar librin dhe ua ka sugjeruar edhe kolegëve të saj, por autori i “Armët dhe çunat” shprehet se kjo nuk mjafton. Nëse Kodheli do vërtet të reagojë mbi çështjen “Gërdeci”, ajo i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të vënë përpara drejtësisë të implikuarit.

  1. Vdekja e Kosta Trebickës nuk është rastësore.

Pasi nxori disa të dhëna duke zemëruar zyrtarë të lartë shqiptarë dhe amerikanë, Trebicka u gjend I vdekur pasi makina e tij pësoi “aksident”. Por për këtë të fundit kurrë nuk u bë një hetim i detajuar dhe kjo jo rastësisht.

 3. Tragjedia është që jeta vazhdon e pandryshuar në Shqipëri.

Mihal Delijorgji ka dalë nga burgu dhe ka marrë leje ndërtimi për biznesin e tij. Askush nuk kërkon llogari për këtë, madje as nuk habiten më.

 4. Diveroli, Alex, David dhe Efraim u burgosën padrejtësisht nga pala amerikane, sepse thuhej se municionet që vinin nga Shqipëria nuk punonin.

Në fakt asgjë nuk shkonte keq me cilësinë e municioneve, edhe pse këto të fundit ishin të vjetra. Ato municione në fakt po përdoren sot nga talebanët kundër NATO-s në Siri dhe Afganistan.

 5. Djali i ish-kryeministrit është i implikuar në tragjedi.

Jo vetëm djali, por edhe kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i asaj kohe. Dihet se qeveria i riparonte municionet me një çmim prej 2 centësh, i shiste ato në një kompani false në Qipro për 4 cent dhe kjo e fundit i shiste për 8 cent në Amerikë. Pas gjithë këtyre fitimeve fshihen zyrtarët e lartë.

 6. Ambasada Amerikane ka qenë në dijeni.

Ambasada ka qenë në dijeni se në çfarë kushtesh punoheshin municionet në Gërdec, gjithashtu edhe për përfshirjen e emrave të zyrtarëve, por heshtja e tyre shpjegohet me faktin se nuk duan të prishin marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë.

 7. Azili i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Amerikë, sekret i palëve.

Brenda Ambasadës Amerikane në Tiranë dihej se zyrtarët amerikanë e dinin projektin e demilitarizimit në Gërdec dhe se çdo hetim për ta zbuluar atë do të rrezikonte marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi populli shqiptar do të merrte vesh se çfarë po ndodhte realisht dhe do të revoltohej. Dhe kështu, kur Shefi i Shtabit kërkoi azil, nuk mund të mos e pranonin kërkesën e tij.

8. Ambasadori Withers jo drejtpërdrejt i përfshirë, por ishte në dijeni.

Në kërkimin e Lawson nuk është gjetur asgjë për përfshirjen e Withers në këtë prapaskenë, madje ky i fundit ndihej keq për atë çka ndodhi. Mirëpo për përfshirjen e ish-ministrit Mediu dhe ish-kryeministrit Berisha dhe fshehjet e tyre për sa i përket Gërdecit, ambasada dhe zyrtarë të saj kanë qenë në dijeni.

 9. E vërteta fshihet edhe nga qeveria e sotme.

Kryebashkiaku i sotëm, Veliaj, ka qenë njëri prej aktivistëve më të zjarrtë për drejtësi asokohe. Gjithashtu kryeministri Rama, atëherë nga karrigia e opozitës, kërkonte me ngulm të vërtetat e Gërdecit. Ata sot i kanë në dorë të vërtetat, kanë mundësi t’i bëjnë publike e të bëjnë drejtësi, por ja që nuk reagojnë. Kjo si pasojë e marrëdhënieve, klaneve dhe frikës ndaj të vërtetës.

 10. Libri do të vijë në jetë si komedi e zezë në Hollivud, por askujt nuk do t’i bëhet vonë për të vërtetën.

Edhe pse ato që autori ka treguar në libër do të shfaqen në film, nëse autoritetet shqiptare nuk janë të ndjeshme dhe nuk bëjnë asgjë për të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët, qofshin këta zyrtarë apo jo, atëherë as libri, as filmi dhe as ndonjë investigim i ngjashëm nuk do të ndihmojë aspak.

 

 

Shperndaje