Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

U kritikua për aktin ndaj ministres Nikolla. Përgjigjet në Facebook Mirela Ruko!

U kritikua për aktin ndaj ministres Nikolla. Përgjigjet në Facebook Mirela Ruko!
November 18
22:48 2016

Mirela Ruko është padyshim një nga personat më të përfolur të momentin dhe kjo në sajë të veprimit të saj kundër ministres Lindita Nikolla.

Ditën e djeshme, Mirela, studente për Sociologji në Tiranë, spërkati me salcë domatesh ministres Nikolla gjatë ceremonisë së FRESSH-it, formë kjo e protestës së saj dhe “Lëvizjes për universitetin” kundër reformave të Nikollës.

Shumë e përkrahën e të tjerë e kritikuan se kishte kryer një akt agresioni kundër një gruaje, femre e se ishte forma e gabuar për të protestuar.

Të gjitha këtyre kritikave, Mirela u është përgjigjur me një status në Facebook, ku shkruan:

“Lëvizja për universitetin ka vite që proteston kundër reformës qeveritare në arsimin e lartë, të cilën e kemi cilësuar klienteliste. Efekti i parë i kësaj reforme u ndje në procesin e regjistrimit të studentëve. Siç dihet botërisht, procesi i regjistrimit favorizoi dukshëm një grusht universitetesh private. Paniku i krijuar me qëllim i shtyu shumë studentë të braktisnin ëndrrat e tyre dhe të regjistroheshin në universitete private ose në degë të papreferuara, pavarësisht meritës.

Udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë vendosur në gjendje presioni destruktiv mijëra maturantë, kanë çuar në buzë mbylljeje degë të ndryshme të universiteteve publike dhe kanë shtyrë drejt sakrificave financiare dhe hyrjes në borxh shumë familje.

Prandaj si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin e akuzojmë ministren Nikolla si shpërdoruese të interesit publik dhe të shitur te pronarët e universiteteve private.

Ndërkohë që Lindita Nikolla ishte duke festuar me të rinjtë e FRESSH-it bëmat e qeverisë së saj, pikërisht më 17 Nëntor, ditën ndërkombëtare të rezistencës studentore, ne aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin nuk mund të heshtnim.

Atyre që këto orë janë ankuar që ne paskemi njollosur një grua, një nënë po iu drejtoj këto pyetje:

Ku ishit ju kur shumë vajza maturante u përjashtuan padrejtësisht nga universiteti ose u shtynë dhunshëm drejt diplomoreve private?! Ku jeni ju kur vajzat shkatërrohen nga puna në call center-a, pa pasur mundësi të studiojnë siç duhet?! Ku jeni ju kur gratë e vajzat shfrytëzohen deri në palcë në fasoneri vetëm për një copë bukë dhe arsimimin e fëmijëve të tyre?!

Studentëve, prindërve e qytetarëve të pafundmë që kanë shprehur solidaritetin e tyre iu shpreh mirënjohjen time më të madhe, edhe në emër të gjithë aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin. U kërkoj po ashtu që mbështetjen të mos ma japin mua si studente e varfër që e dua shkollën si asgjë tjetër. Si mua ka mijëra e mijëra të tjerë. Nuk zgjidhim gjë me bamirësi. Mirëpo të gjithë bashkë, me zemër e mendje, mund të ngremë një dallgë aq të madhe universitare dhe qytetare saqë të vëmë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që po e shkatërrojnë arsimin shqiptar.

Të parën që do ta zërë kjo dallgë është Lindita Nikolla. Prandaj ne kërkojmë dorëheqjen e saj dhe nuk do të ndalemi derisa ta sigurojmë atë.”.

“Rezistenca vazhdon!”, – përfundon studentja. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje