Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Skemë mashtrimi për përfitim azili, pranga kreut të Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare

Skemë mashtrimi për përfitim azili, pranga kreut të Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare
March 19
10:55 2016

 

Dy persona, të akuzuar për “korrupsion pasiv” janë vënë në prangat e Policisë së Durrësit.

Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Azilkërkuesi”, pas një hetimi njëmujor. Si rezultat, është kryer arrestimi i dy shtetasve, konkretisht: Ndrec Prenga, 64 vjeç, banues në Durrës, kryetar i Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare dhe Sabahet Manuka, 65 vjeçe, banuese në Tiranë.

Arrestimi i dy shtetasve u krye për shkak se në afërsi të ish-doganës, shtetësja Manuka u kap në flagrancë duke i dhënë 300€ Ndrecës, në këmbim të një vërtetimi që do të siguronte përfitimin e azilit në vendet e BE-së.

Kryetari i Komunitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare njihet si person me precedentë penalë të mëparshëm, i dënuar për të njëjtën vepër penale. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë  së Rrethit Gjyqësor Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale: “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” dhe ”Falsifikim i dokumenteve” në ngarkim të shtetasit Ndrec Prenga, parashikuar në nenet 164/b dhe 186/3 të Kodit Penal; “Korrupsioni aktiv në sektorin privat” në ngarkim të shtetases Sabahet Manuka, parashikuar në nenin 164/a  të Kodit Penal.

Shperndaje