Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rikthehet në kuvend ligji për teatrin, Meta nuk bie dakord me ndryshimet

Rikthehet në kuvend ligji për teatrin, Meta nuk bie dakord me ndryshimet
October 11
17:44 2018

Ditën e sotme në Kuvend, Ilir Meta ka rikthyer ligjin për teatrin. Ai prezantoi dekretin i cili tregon se për problemet në lidhje me shembjen e teatrit, ndryshimet ne ligj nuk ofrojnë zgjidhje. Kjo është hera e dytë që ai merr një vendim të tillë.

“Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.”-shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Në vazhdim, janë dhënë dhe argumentet e plota me të cilat ai mbështet vendimin.

Pjesë nga dekreti

Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, 93, të Kushtetutës, i përcjellë Kuvendit rekomandimin që kjo çështje duhet të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, në mënyrë që ligji nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar ‘”, të rishqyrtohet, bazuar në argumentat mësipërme dhe atyre të dhëna në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, që paraqiten, si më poshtë :

  1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
    2. Ligji nr.37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
    3. Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
    4. Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
    5. Ligji nr.37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
    6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
    7. Ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
    8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018, nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
    9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje