Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndalimi i flamurit të Kosovës, Eurovizioni sqaron pse nuk do të lejohet

Ndalimi i flamurit të Kosovës, Eurovizioni sqaron pse nuk do të lejohet
April 29
17:30 2016

Një ditë më parë, unioni i transmetuesve europian bëri publike rregullat e përdorimit të flamujve gjatë Eurovizionit që do të zhvillohet në datat 10, 12 dhe 14 maj në Suedi. Mes këtyre kufizimeve renditet dhe ndalimi i valëvitjes së flamurit të Kosovës.

Organizatorët e këtij festivali kanë konfirmuar ditën e sotme ndalimin e përdorimit të flamurit të Kosovës përgjatë tri netëve. Menaxheri për Komunikim me Mediat nga Eurovizioni, Paul Jordan, deklaroi se kjo masë nuk është veçanërisht për shtetin e Kosovës apo një tjetër territor të caktuar, por lidhet me rregullat e përgjithshme të organizimit.

“Për fat të keq, Kosova nuk është as pjesëmarrëse dhe as vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Është për keqardhje që ky dokument është publikuar ngase ai ishte vetëm për nevoja të përdorimit të brendshëm dhe në listën e tij ishin vetëm si shembuj flamujt e Kosovës dhe Baskisë. Ne nuk duam që në asnjë mënyrë këtë ta ndërlidhim me ISIS-in dhe na vjen keq nëse radhitja e flamujve në dokument dikë e ka lënduar”, – ka deklaruar Jordan.

Referuar rregullores, përgjatë netëve të Eurovizionit do të përdoren vetëm flamujt e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pastaj flamujt e shteteve pjesëmarrëse në festival apo atyre që kanë marrë pjesë më herët, si Turqia, Portugalia e Rumania. Nuk do të lejohet as valëvitja e flamujve lokalë, rajonalë apo provincialë, si dhe i atyre që propagandojnë përmbajtje komerciale, diskriminim apo urrejtje.

Mësohet se autoritetet e Kosovës i kanë drejtuar një letër Unionit Transmetues Europian (EBU), ku kërkojnë që flamuri i Kosovës të hiqet menjëherë nga lista e flamujve të ndaluar gjatë netëve të Eurovisionit.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Etiketimet
Shperndaje