Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shoqëria Civile s’lejohet në dëgjesën publike për stadiumin, Basha: Akt i rëndë, një teatër-bunker me regji të kryeministrit bandit

Shoqëria Civile s’lejohet në dëgjesën publike për stadiumin, Basha: Akt i rëndë, një teatër-bunker me regji të kryeministrit bandit
April 29
17:03 2016

Shoqëria Civile është ndaluar të marrë pjesë në dëgjesën për stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, ku kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin e publikuar në media. Ylli Rakipi, së bashku me Fatos Lubonjën, Andi Bushatin dhe Gjergj Bojaxhiun nuk janë lejuar të marrin pjesë në dëgjesën e organizuar në sallën e hotel “Tirana”.

Për analistin Fatos Lubonja, kjo s’është gjë tjetër veçse privatizim i shtetit. “Këto akte të turpshme duhet të ndalohen. Dhe nëse dhuna nuk ndalon, do veprojmë. Bashkohet injoranca, arroganca, mungesa e çdo lloj diplomacie për një politikan, është dhunë e pastër. Mos të dalin e të thonë aty pse thotë Berisha rrëmbeni armët, kështu vjen puna kur ti nuk ke asnjë lloj diplomacie për popullin, pse organizon takim me publikun në një objekt privat.”, tha Lubonja.

Pengesa e analistëve dhe shoqërisë civile në këtë dëgjesë u komentua edhe nga kreu i demokratëve, Lulzim Basha, i cili tha se ky është një akt i papranueshëm, sjellje tipike e një qeverie-bandë me në krye një kryeministër bandit. Ai deklaroi se kjo dëgjesë nuk ka qenë një aktivitet i hapur siç u propagandua, por një teatër bunker me regji të Ramës, ku jep mendime dhe vendos Rama, firmos po ai, ndërsa të tjerët që janë administratë, oligarkë, e klientë dëgjojnë e duartrokasin.

“Ky është bunkeri ku qeveriset vendi, ku vendoset për pasuritë publike, ku shkelet ligji, ku ndahen copat e mëdha të tortës mes miqve. Bunkeri ku, hapësira për qytetarët në stadium zvogëlohet, dhe rritet e zmadhohet pjesa e biznesit, e kullës, e dyqaneve për klientin e Ramës”, u shpreh ndër të tjera Basha.

Gjatë dëgjesës publike të organizuar për stadiumin e ri, kryeministri Edi Rama tha se ndërtimin e stadiumit aty e do logjika urbane dhe sociale e Tiranës. Sipas tij, “Arena Kombëtare” do të heqë parkimin ordiner të makinave, do të krijojë dy hapësira publike. Sa për kullën, pjesë e këtij projekti, kryeministri deklaroi se vendet e botës e kanë një të tillë që në fillim të këtij shekulli.

“E pakonceptueshme fobia ndaj kullave, përse i përket stadiumeve me kullë nuk janë shpikej e kësaj kohe dhe kjo kullë nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Sikur të ishte e para kullë do ta kisha mbështetur me pasion, por nuk është e para. Kullat dhe stadiumet kanë bashkëjetuar që në fillim të shekullit të kaluar. Kulla element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti, si element ikonik i stadiumit të ri.”, u shpreh kryeministri Rama.

Komento