Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

SHBA, Trump apo Hillary?

SHBA, Trump apo Hillary?
November 01
10:49 2016

Më 8 nëntor, amerikanët do të votojnë për presidentin e tyre të radhës mes Hillary Clinton e Donald Trump.

Pas 8 viteve të administratës demokrate të presidentit Obama, tashmë do të jetë radha e 2 figurave shumë të debatuara për të përplasur brirët për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Clinton ditët e fundit është vendosur përballë një lumi akuzash pas publikimit të email-eve të saj nga Wikileaks, që janë cilësuar nga shumëkush si një Watergate i dytë. Pas publikimit të tyre, edhe FBI ka deklaruar se ka nisur një hetim mbi vërtetësinë e tyre. Ndërkohë që vetë stafi i Clinton ka akuzuar FBI-në për standarde të dyfishta dhe mungesë profesionalizmi,- raporton CNN.

Ndërkohë, Trump është cilësuar nga mediat amerikane si një nga figurat më të diskutuara që ka arritur të shkojë deri në një përballje kokë më kokë për të marrë frenat e Amerikës në dorë. Trump është një figurë kontraverse, i cili ka marrë mbështetjen e shumë amerikanëve kryesisht për shkak të kokëfortësisë së tij, deklaratave të tipit “do të ndërtoj mur në kufirin me Meksikën”; “do të përzë myslimanët nga vendi”; “do të arrestoj sekretaren Hillary Clinton”.

Këto e të tjera deklarata të tij kanë shkaktuar valë reagimesh herë pozitive e herë negative në opinionin publik amerikan.

Tashmë mbetet edhe një javë nga zgjedhjet. Gara parashikohet të jetë e nxehtë, më tepër se asnjëherë. Sondazhet e kryera nga disa agjenci në SHBA deri sot kanë parashikuar Clinton si fituese. Por ditët e fundit diferenca është ngushtuar në vetëm 1 pikë. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për SHBA-të dhe politikën e ardhshme presidenciale amerikane.

Me interes kjo garë është edhe për Shqipërinë, për shkak të afërsisë së saj politike dhe varësisë direkte nga SHBA-të. Në rast të një fitoreje të Trump shumë balanca politike në Shqipëri pritet të ndryshojnë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje