Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Seanca për heqjen e mandatit të deputetit Sajmir Tahiri, kërkohet seancë me dyer të mbyllura: Kemi emra që nuk duhet të bëhen publikë

Seanca për heqjen e mandatit të deputetit Sajmir Tahiri, kërkohet seancë me dyer të mbyllura: Kemi emra që nuk duhet të bëhen publikë
October 20
12:19 2017

Pas kërkesës së prokurorisë, lidhur me heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri dhe dhënien e autorizimit për ndalimin e tij është mbledhur Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Në këtë mbledhje, ish-ministri Tahiri shoqërohet nga avokati i tij Artan Hajdari.

Që në nisje të mbledhjes, Prokurori Besim Hajdarmataj ka kërkuar që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura. Por kjo kërkesë u rrëzua nga deputetët.

“Ne kemi përgatitur edhe deklaratat për ruajtjen e sekretit. Kemi informacione që vijnë nga strukturat ligjzbatuese të vendit ku flitet për struktura kriminale dhe për emra personash që nuk duhet të bëhen publike”, u shpreh prokurori Hajdarmataj.

Pas vendimit të Këshillit, nëse pranohet kërkesa e Prokurorisë pritet një seancë parlamentare ku do të votohet nga parlamenti për heqjen e mandatit të Tahirit.

Ish-ministri akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për dy vepra të rënda penale, atë të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Referuar Kodit Penal dhe neneve për këto vepra penale, ish-ministri, të cilit pritet t’i hiqet edhe imuniteti rrezikon maksimumi 32 vjet burg, dhe minimumi i caktuar në Kod për këto vepra, është 14 vjet burg.

Dje prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit t’i heqë imunitetin e deputetit Saimir Tahiri pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane për bandën e Habilajve.

Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.  /Blitz.al/

 

 

Shperndaje