Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sali Berisha “uron” Partinë Socialiste

Sali Berisha “uron” Partinë Socialiste
March 19
13:01 2016

Kongresi i Partisë më të madhe të së majtës nuk mund të shpëtonte kurrsesi nga vëmendja e ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe ish-kryetarit të partisë historikisht rivale, Sali Berishën.

Ai ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook për të uruar socialistët, Partinë Socialiste dhe veçanërisht, kryeministrin Edi Rama, sigurisht në mënyrën e tij.

Në postim Berisha shkruan: “Gëzuar Kongresin pa garë! Kongresin e kryetarit tuaj të pazgjedhshëm, kryetarit tuaj të përjetshëm. Amin!

Të dashur miq, sot u mblodh Kongresi i partisë së Edi Ramës dhe sivllaut të tij shpirtëror, Koço Kokëdhimës.

Ky Kongres mblidhet pasi neo-bllokmeni Edi Rama ka rikthyer në pushtet bijtë e etërve mizorë, bllokmenëve hoxhistë.

Ky Kongres mblidhet pasi Edi Rama ka shndërruar Partinë Socialiste në partinë e mafies dhe krimit të organizuar, ku sipas ligjit të mafies, kryekumbari vendos për gjithçka.

Kongresi mblidhet pasi Edi Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në Partinë Kanabiste të Kokëdhimës.

Kongresi mblidhet pasi Edvin Kristaq Rama riktheu Partinë Socialiste  në kohërat më të zeza të historisë së saj, kohërat hoxhiste, me kryetar të pazgjedhshëm dhe kryetar të përjetshëm, por që kësaj radhë nuk quhet Enver Halil Hoxha, por Edvin Kristaq Rama, që shpall veten të pazgjedhshëm dhe të përjetshëm!

Kështu që, urimi i vetëm që të vjen vetvetiu për kongresmenët e mbushur plot kusarë, vrasës, trafikantë droge, prostitucioni, pengmarrës dhe hajdutë ordinerë është: Gëzuar Kongresin pa garë, kongresin e kryetarit tuaj të pazgjedhshëm, kryetarit tuaj të përjetshëm, Amin! S.B”.

Zgjedhjet e Partisë Socialiste pasojnë ato të Partisë Demokratike, ku me shumicë votash triumfoi kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha, duke zëvendësuar liderin historik të të djathtëve, Sali Berishën.

 

 

Shperndaje