Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama për reformën në drejtësi: Nuk e votojmë nëse s’shkakton tërmet në gjyqësor

Rama për reformën në drejtësi: Nuk e votojmë nëse s’shkakton tërmet në gjyqësor
April 14
22:33 2016

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përfunduar vizitën në SHBA, ku është takuar me zv/presidentin Joe Biden dhe më pas 40 minuta me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, ku ky i fundit theu protokollin duke marrë Ramën në zyrën ovale. Në përfundim të kësaj vizite, në një komunikim direkt nga Uashingtoni për “Top Story”, z. Rama foli, ndër të tjera, për reformën në drejtësi, një çështje që prej muajsh është në qendër të vëmendjes së politikës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse kjo reformë do kalohet me çdo kusht, nisur nga deklarata e kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafa, i cili tha se nuk pret më, kryeministri Rama u shpreh:

“Partia Socialiste është për kalimin e kësaj reforme dhe nuk ka bërë asnjë rezistencë për të penguar ose vonuar procesin. Mbështetja amerikane është e sigurt dhe palët politike në vend kanë qasjet e tyre, por historitë që e lidhin këtë reformë me lloj-lloj fantazish të opozitës dhe shpikje të tyre nuk ka shanse të shihen me seriozitet”.

Kreu i qeverisë foli për bashkëpunimin me FBI-në, që ka në thelb nevojën për rritje kapacitetesh, me qëllim që akademia e FBI-së të mbështesë akademinë e sigurisë në vend, duke përçuar njohuritë e posaçme. I pyetur nga Balla nëse kjo marrëveshje ka lidhje me BKH-në, Rama pohoi se marrëveshja lidhet me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një çështje që bashkë me reformën në drejtësi kërkon kohën e vet.

“Mundet që pas miratimit, reforma në drejtësi të mos jetë ajo që pritej në thelb?”- ishte pyetja e Ballës, për të cilën Rama tha se nëse diçka e tillë ndodh, ai vetë do dalë përpara të gjithëve për të thënë se nuk ia vlen kjo reformë.

“Për këtë reformë, partnerët ndërkombëtarë nuk do të heshtin duke thënë se palët duhet të gjejnë konsensus. I gjithë reputacioni ynë ndërkombëtar do të kurorëzohet me kalimin e reformën në drejtësi. Kush e pengon këtë reformë i mbyll derën Europës. Edhe vetë shqiptarët do “përvëlojnë” këdo që do pengojë deri në absurd reformën në drejtësi. Theksoj se Partia Socialiste nuk do të votojë një reformë që nuk do të shkaktojë tërmet në sistemin gjyqësor”, – vuri në dukje kryeministri, i cili bëri me dije se zyrat që do monitorojnë mbarëvajtjen e reformës do kenë rreth 150 persona në bord. Ai shtoi se kjo reformë është themelore, pasi jo vetëm mbështet reformat e tjera të duhura, por edhe asgjëson të tjerat.

Komento