Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama për fenë në shkollë: Më keni keqkuptuar, mësimet fetare do të forcojnë më shumë laicitetin

Rama për fenë në shkollë: Më keni keqkuptuar, mësimet fetare do të forcojnë më shumë laicitetin
April 15
10:26 2016

I pyetur nga gazetari Sokol Balla se si ndihet kryeministri nga reagimet kundër për futjen e mësimeve fetare në shkollat shqiptare, kryeministri Rama u përgjigj: “Gjithçka kundër që është folur për idenë e mësimeve mbi fenë në shkollat shqiptare nuk vjen nga kundërshtia, por nga moskuptimi. Nuk futet feja në shkollë, nuk bëhet fjalë. Flasim për të futur dijet mbi fenë, jo praktikën fetare. S’ka lidhje as me priftërinj, as me hoxhallarë, ka lidhje me shkollën laike ndërkohë që përballemi me një sfidë shumë të madhe si pasojë e ekstremizmit islamik nga njëra anë që flet në emër të Kuranit dhe është shkelësi më brutal i librit të shenjtë dhe nga Donald Trump-ët që po e përdorin keq dhe në favor personal…”

Gjithashtu, ai vazhdoi të sqaronte më tej: “Donald Trump-ët thonë se myslimanët janë terroristë. Ata fuqizohen dhe votohen sepse njerëzit që i votojnë janë të paditur, sepse në jetën tonë në liri dhe demokraci dimë për fenë vetëm kur interesohemi drejtpërdrejt, ama kjo na lë të paarmatosur përballë kësaj propagande dhe kjo nuk është një gjë e re. Unë e kam folur me administratoren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ju siguroj që ky është një trend që do të bëhet i fortë në të gjitha vendet. Fëmijët duhet të mësojnë të respektojnë fenë e njëri-tjetrit”.

“Flasim për nocionet bazë se kush janë myslimanët, të krishterët, budistët dhe është çështje që kërkon kohë, pilotim dhe punë paraprake përpara se të kthehet në program shkollor. Shqipëria është avangardë me këtë qasje, por s’jemi vetëm.  Tradita jonë e tolerancës fetare duhet të vazhdojë të forcohet dhe duhet të trashëgohet. Ky është thesar i madh që duhet mbrojtur duke qenë të pajisur me dije që askush të mos i kthejë as në ushtarë të xhihadit dhe as në votues të Tump-ëve të ardhshëm që mund të dalin edhe në Shqipëri…”,- përfundoi fjalën e tij Rama.

Etiketimet
Shperndaje