Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pushimi i “21 Janarit”, Tahiri: Sqarim procedural, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë

Pushimi i “21 Janarit”, Tahiri: Sqarim procedural, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë
April 28
23:14 2016

Vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila rrëzoi rekursin e Prokurorisë për dosjen e “21 Janarit”, vendim që mbyll një ndër proceset më të debatuara në Shqipëri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka sqaruar shkrutimisht atë që ka ndodhur. Në një lidhje telefonike për “Top Story”, ai deklaroi se letra e Gardës së Republikës të lidhur me procesin civil të 21 Janarit ishte një detyrim ligjor i institucionit.

Ministri theksoi se Garda ka cituar vendimin penal të marrë nga një gjykatë penale përpara 2013-s, çka është e detyrueshme nga pikëpamja ligjore. I pyetur nga analisti i ftuar Mustafa Nano, se pse Qeveria nuk vë përpara drejtësisë përgjegjësit e “21 Janarit” dhe “Gërdecit”, Ministri i Brendshëm deklaroi se kjo është detyrë e Prokurorisë.

“Qeveria sot nuk çon dot para gjykatës askënd për krimet e kryera, atë duhet ta bëjë Prokurori. Ne mbajmë të njëjtin qëndrim, se të dyja këto ngjarje të rënda janë krime shtetërore.”, u shpreh ministri. Tahiri tha se për Qeverinë, mënyra e vetme për të luftuar krimet mbetet reforma në drejtësi.

“Pavarësisht ndërmarrjes së reformës në drejtësi, mendoj se këto dy çështje do mbeten pa u zgjidhur, të pashqyrtuara.”, ishte replika e analistit Nano.

I ftuar në emsionin “Top Story”, zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Koçi, tha për “21 Janarin” se qëndrimi i Gardës morri përgjigjen e merituar nga ministri Tahiri. Sa për “Gërdecin”, ai sqaroi se shpërthimi mund të cilësohet si aksident teknologjik, por jo organizimi që mbetet një aferë korruptive.

Sikundër minisri Tahiri, zv/ministri i Mbrojtjes theksoi se presioni për reformën në drejtësi mbetet e vetmja mënyrë për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve, duke iu kundërpërgjigjur kështu komentit të analistit Skënder Minxhozi, i cili tha se mazhoranca e ka ulur ritmin për gjetjen e së vërtetës, “duke bërë që e gjithë llava e vullkanit të ftohet”.

“Shqipëria, vend ku ka shume retorikë politike por jo të drejtë, shumë të dënuar por jo fajtorë. Pyetja mbetet: A është Shqipëria një republikë për tu jetuar? Mendoj se deklarimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ai i Gardës së Republikës janë politikisht kriminale, jo si premtime të pambajtura por si premtime të bëra.”, u shpreh opinionisti Arjan Vasjari.

Në një lidhje për “Top Story” gruaja dhe vajza e Ziver Veizit, një prej të vrarëve të 21 Janarit, shprehën zhgënjimin e tyre për vendimin e gjykatës dhe theksuan se do i rikthehen padisë civile.

Komento
Etiketimet
Shperndaje