Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Presidenti i Bundestagut, vizitë në Shqipëri, jep mesazhe inkurajuese

April 22
10:50 2016

Presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Kryeparlamentari Ilir Meta e ka pritur në aeroport dhe më pas të dy janë drejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Është vizita e katërt e Lammert në Shqipëri që pas zgjedhjes së tij në detyrën e Presidentit të Bundestagut, ndaj dhe, sipas tij, ky është një tregues i qartë për lidhjen e tij personale, si dhe marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Në fjalën e tij, Lammert theksoi se është vërtet i lumtur të shohë Shqipërinë të bëjë hapa para, si dhe theksoi faktin se Shqipëria është model për bashkëjetesën fetare. Gjithashtu ai solli në vëmendje faktin se BE është duke e konsideruar Shqipërinë më pranë se kurrë, ndaj dhe momenti i anëtarësimit nuk duhet të jetë i largët. Së fundmi, Lammert theksoi edhe njëherë nevojën urgjente që Shqipëria ka për reformën në drejtësi, e cila sipas tij do të ketë mbështetjen edhe të qeverisë gjermane.

Duke larguar paksa vëmendjen nga çështjet politike, Presidenti i Bundestagut ka shprehur entuziazmin e tij për një vit të rëndësishëm përsa i përket futbollit, siç është Kampionati Europian. Ai gjithashtu deklaroi se do të ishte shumë i lumtur të arrihej një finale Shqipëri-Gjermani.

Lammert do të marrë pjesë edhe në konferencën “25 vjet demokraci parlamentare në Shqipëri”, ku do të jetë edhe pjesë e panelit kryesor.

Etiketimet
Shperndaje