Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Petrit Vasili: “Tirana është më pak e jetueshme për fëmijët. Një tokë që ka bar e dhe merr frymë, një tokë që ka beton është e vdekur”

Petrit Vasili: “Tirana është më pak e jetueshme për fëmijët. Një tokë që ka bar e dhe merr frymë, një tokë që ka beton është e vdekur”
May 14
14:44 2016

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka qenë mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskës në Vizion Plus.
Vasili ka folur për tema të ndryshme dhe aktuale në politikën e sotme. Fillimisht mbi çështjen e video-skandalit të ish-kryebashkiakut Xhelili, ai është përgjigjur se kjo është një çështje që nuk i intereson, një temë përtej gustove të tij politike: “Për sa i përket anës politike, qëndrimi i qeverisë shqiptare për çështjen ka qenë shterues, pa ekuivokë, çfarë i shpjegon të gjitha. Të tjera komente nuk paraqesin interes”.

Megjithatë, i pyetur edhe për çështjen e Eskobarit, Vasili është shprehur se për çdo person duhet të reagojnë organet përkatëse si dhe ka treguar se i mbështet dënimet e forta.
Për sa i përket reformës në drejtësi, ai ka thënë se do të ketë konsensus dhe ritme të larta. “Kemi hyrë në një rrugë që do të shkojë drejt finalizimit, dakordësia ekziston, pavarësisht debateve, sepse forcat parlamentare kanë dhënë konsensus dhe është e padiskutueshme që kjo çështje do të përfundojë përpara mbylljes së sezonit, sepse është edhe kushti kryesor për hapjen e negociatave me BE-në. Vllahutin, ambasadorja e BE-së, është shprehur se në nëntor do të kemi një raport pozitiv dhe fillimin e negociatave për anëtarësim, i rëndësishëm ky për shumë plane për Shqipërinë”, – ka thënë ai.
Rreth konfliktit polici-prokurori, kush përgjon kë, Vasili  shprehet se përgjimi i paligjshëm okult, për të është me qëllim të keq, pasi çdo përgjim telefonik në përputhje me ligjet i ndihmon sigurimet, ndërsa i paligjshmi është në funksion të interesave personale dhe politike. “Nuk kam informacion rreth pajisjes përgjuese, por di që prokuroria ka hapur hetimet. Në rast se ka baza dhe ndodhin gjëra të tilla, është më shumë se shumë e rëndë, në rast të kundërt, të fashitet njëherë e mirë”, – tha ai.
Përplasja mes presidentit dhe kryetarit të bashkisë rreth parkut të liqenit ka qenë kryefjala e fundit e politikës dhe opinionit publik. Mendimi i Vasilit rreth kësaj çështjeje ishte ky:

“Nuk kam komente në emër të LSI-së, por në emrin tim personal. Gjuha e ashpër nuk është gjuha ime, kjo gjuhë nuk i ndihmon shqiptarët, nuk jep rezultate. Ajo prodhon konflikte që nuk kanë ekzistuar më parë. Ata që nuk kanë aftësinë e vetëkontrolllit dhe vetëpërmbajtjes në politikë kanë zgjedhur zanatin e gabuar.
Ka disa përcaktime kushtetuese për çështjen e protestave dhe i respektoj absolutisht. Nuk kam ide të qartë se cili është ky projekt për parkun dhe çfarë do bëhet atje. Mendoj se Tirana është absolutisht qytet i transformuar në mënyrën më negative të mundshme nga një qytet i gjelbëruar në beton. Tirana është më pak e jetueshme për fëmijët. Një tokë që ka bar e dhe merr frymë, një tokë që ka beton është e vdekur”.

Në mbyllje të intervistës, kreu i grupit parlamentar të LSI-së është pyetur nga moderatori se përse partia dhe anëtarët e saj paragjykohen nga opinioni. LSI-në e quajnë klienteliste, e perifrazojnë si një oktapod ku njerëzit janë tentakulat e tij. “Emisioni juaj, “Oktapod”, është i suksesshëm dhe në këtë rast analogjia është e njëjtë”,- ka përfunduar kështu intervistën Petrit Vasili.

Shperndaje