Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përfaqësuesja vendore e LSI-së del hapur kundër Lindita Nikollës

Përfaqësuesja vendore e LSI-së del hapur kundër Lindita Nikollës
September 08
09:20 2016

Ka qenë pikërisht kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, përfaqësuese e LSI-së, Miranda Rira, e cila, nëpërmjet një statusi në llogarinë e saj në Facebook, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e ministres Lindita Nikolla, pas gjithë problematikave që kanë pasur maturantët për të zgjedhur degët e preferuara për sa i përket arsimit të lartë.

“Rrënimi i përpjekjeve të qindra maturantëve të dëshpëruar duhet të ketë një fajtor. Është e trishtë që akoma sistemi ynë arsimor bën eksperimente nga një vit në tjetrin, duke përdorur mijëra maturantë si kavie për të kuptuar se çfarë duhet e çfarë jo. Janë me dhjetëra maturantë të Bashkisë Përrenjas, me mesatare mbi 9, që nuk kanë arritur të kapin asnjë degë në Universitetin e Tiranës. Më lejo ta them hapur, Lindita Nikolla, se je ministrja më e paaftë që njoh. Habitesha edhe më shumë nga paaftësia jote kur vije në Komisionin e Arsimit gjatë kohës që isha deputete, nga argumentet e dobëta që jepje, vetëm mëk-mëk-et e tua dëgjoheshin. Habitesha se si mund të ishe ministre e Arsimit dhe e Shkencës, kur minimalisht duhej të kishe gradën Doktor, teksa vendi kishte me qindra profesorë të nderuar me tituj”, – ka folur me tone të ashpra kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit.

Në momentin që ajo ka postuar këtë status, qytetarët kanë pyetur nëse ky është një qëndrim personal apo qëndrim zyrtar i LSI-së. “Në emër të LSI-së, në lidhje me koalicionin, flet zëdhënësja e LSI-së. Unë flas në emër të qytetarëve të Përrenjasit, në emër të maturantëve që po shoh t’u mohohet e drejta për të studiuar! Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi në koalicion edhe për shumë vite të tjera, por kjo nuk përjashton nevojën që ka koalicioni për të punuar më mirë”, – ka kthyer përgjigje ajo. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje