Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mero Baze: Koço Kokëdhima, jo më mik i Ramës. “Shekulli”: Je maskë me pagesë

Mero Baze: Koço Kokëdhima, jo më mik i Ramës. “Shekulli”: Je maskë me pagesë
July 11
12:25 2016

Në editorialin e dy ditëve më parë, Mero Baze shpalli ndarjen përfundimtare të kryeministrit Rama me ish-deputetin e jugut, Koço Kokëdhima. “Edi Rama nuk ka nevojë për armiq, derisa të ketë mik Koço Kokëdhimën”. Tani siç duket nuk e ka më, dhe thjesht dua t’ua kujtoj këtë gjë miqve të rinj të Kokëdhimës të ri. Ta gëzoni! Tani as ju nuk keni më nevojë për armiq. U del Koçua!”, shkruante Baze teksa përmendte më tej dëmet që Kokëdhima i ka shkaktuar PS-së nga konflikti me LSI-në në jug, tentativat për të shndërruar pushtetin lokal në biznes privat dhe deri tek propozimi për legalizimin e drogës, etj.

“Tani jemi në momentin më tragjikomik të Kokëdhimës. Ai ka ndërtuar një fabulë në kokën e tij, se si amerikanët kanë urdhëruar Edi Ramën, ta heqi nga deputet dhe se kështu do veprohet dhe pas reformës në drejtësi me të tjerë. I autosugjestionuar si çdo delirant, duke u vetëcaktuar si “viktima” e parë e drejtësisë amerikane në Shqipëri, ai është kthyer javët e fundit në një lloj heroi për Berishën dhe kundërshtarët e tjerë të reformës, duke vajtuar fatin e tij të keq, që ja ndollën dhe gatun vetë (dhe mirë bënë). Mban nga pas një grua që ka mandat deputeti, dhe e trajton mandatin e saj si pronë private, duke garantuar kundërshtarët e reformës, se kontrollon votën e saj.”, shkruan ndër të tjera Baze.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i “Shekullit”, gazetës së Koço Kokëdhimës. Në shkrimin therrës, Bazes i kujtohet e shkuara, kohë kur ai konsiderohej shërbëtor i Berishës, ndërsa tani i Ramës.

“Dikur funksiononte me anë të letrave anonime, si në rrëfenjat popullore, ku nënshkruesi ishte “një mik që ta do të mirën”. Atëherë punonte shërbëtor me kohë të pjesshme. Ndërsa tani që punon shërbëtor me kohë të plotë, firmos me emër, por ka mbetur “një mik që ta do të mirën”. Është i njëjti shërbëtor: Mero Baze. Ka ndërruar porositësi i shërbimeve të ulëta. Nuk është më Sali Berisha dhe segmente të së djathtës, por elementë të kupolës së majtë dhe brenda qeverisë së Edi Ramës. Galeria është termi i duhur për ish-inxhinierin e minierave, apo siç njihet në termonologjinë studentore, si urith. Nuk e përballoi dot profesionin për të cilin ishte diplomuar dhe e këmbeu nëntokën e pasur shqiptare të mineraleve me atë të medias së sapoliberalizuar shqiptare, pas ndryshimit të sistemeve në vitin 1990. Një urith mediatik që nga nëntoka e errët e lidhjeve me pushtetin e radhës, në emër të të drejtës së shprehjes dhe lirisë së informimit ka bërë me qindra vrasje morale të urdhëruara prej padronëve të radhës.”, thuhet ndër të tjera në shkrim. Në fund të tij, Mero Baze, cilësohet si një shërbëtor, maskë me pagesë për llogari të luftrave të brendshme në PS dhe në kampin e shumicës. “Ndërsa qeveria nuk ka më nevojë për armiq. I del Merua, “miku që ia do të mirën” të majtës.”, përmbyllet artikulli.

Komento
Etiketimet
Shperndaje