Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Lulzim Basha: Nuk bëjmë koalicion me LSI-në

Lulzim Basha: Nuk bëjmë koalicion me LSI-në
December 01
23:35 2016

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri, si dhe projektin e PD-së disa muaj para zgjedhjeve. Basha tha se është e prerë që nuk bëhet koalicion me LSI-në. “Nuk do të bëjmë koalicion me LSI-në. Nuk ka koalicion me LSI-në, sepse është pjesë e kësaj qeverie që ka çuar Shqipërinë në rrënim”,- tha Basha. Më tej, kreu i opozitës shtoi: “Shqipëria është nën pushtetin e krimit, drogës e korrupsionit. E tha Merkel, Krischbaum, BBC, çdo ambasador në vend ka ngritur zërin, por vetëm Rama nuk do të dëgjojë. BE është duke shkuar drejt një vendimi negativ”.

Për protestat Basha tha:

“Protestat i kemi pasur dhe do t’i intensifikojmë në vijim kundër një qeverie të lidhur ngushtë me krimin. Ne do të ndërtojmë një platformë konkrete për t’u ardhur në ndihmë njerëzve”.

Për partitë politike:

“Partitë janë kthyer në njësi autokratike, prandaj ne duam t’u ofrojmë qytetarëve një mënyrë perëndimore të të bërit politikë. Kjo do të arrihet përmes një mekanizmi europian. Duke lidhur fatin politik të politikanit me qytetarin”.

Për të ardhmen e PD-së:

“Hapja e Partisë Demokratike është detyrim për ne. Çdo qytetar që dëshiron të vijë dhe të ecë para e të konkurrojë e ka rrugën të hapur në PD. Rrugë tjetër në Shqipëri nuk ka, ndaj besoj nga shpirti se kjo është e ardhmja dhe filozofia e duhur politike. Do t’i propozojmë Kuvendit që partitë politike të kenë kryetarë me maksimumi 4 mandate 2-vjeçare në mënyrë që të mos jetë në krye të saj më i njëjti kryetar partie.

Për presidentin Nishani:

“Presidenti Nishani do të ketë mbështetjen tonë nëse dëshiron të kandidojë sërish për president ashtu si çdo individ tjetër i lirë i republikës. Gjithashtu, në rast se dëshiron të bashkohet me PD-në më pas e ka rrugën të hapur nëse ndajmë të njëjtat vlera të përbashkëta”.

Për kontratat e koncesioneve:

“Do të anulohen te gjitha kontratat koncesionare të paligjshme, në mënyrë që lekët të mos shkojnë në xhepat e Vilma Nushit. Do përmirësojmë rrogat e mjekëve, infermierëve, që të punojnë me dinjitet. Do anulohet koncesioni i stadiumit që po ndërtohet”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje